13.9 C
Tuzi
Friday, May 3, 2024

Dëshira për të studiuar në shtetin amë u bë realitet

Hajrullah Hajdari

Një numër i konsideruar i të rinjve shqiptarë që kishin mbaruar shkollën e mesme në vitin shkollor 1992/1993 për shkaqe botërisht të njohura dhe gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë nuk i kishin vazhduar studimet. Dora e shtrirë e Republikës së Shqipërisë dhe regjistrimi i studentëve të parë në universitetet shqiptare ishte një sihariq dhe fitore e madhe për shqiptarët në Mal të Zi.
Kandidatët e përzgjedhur regjistroheshin në fakultetin gjegjës në bazë të një vërtetimi të lëshuar nga komisioni i përmendur, i cili u lëshonte një vërtetim që u shërbente për t’u regjistruar në fakultetin gjegjës. Bazuar në shkresën nr.187/18.08 1993 dhe listën e kandidatëve për regjistrim në Universitetet e Shqipërisë për vitin akademik 1993/1994 nr.186/93, të cilën kryetari i Komisionit për pranimin e studentëve z. Ferid Kurti ia dërgoi Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë, të rinjtë e parë shqiptarë nga Mali i Zi që patën fatin të regjistrohen dhe të studiojnë në Universitetet e Shqipërisë janë: Në Universitetin e Tiranës: Samir Daciq, Histori, Nexhat Avdiq, Gjeografi, Lulzim Mustafa, Gjuhë e Letërsi Shqipe, Gjylije Rexha, Gazetari, Ismet Kallaboviq, Gazetari, Xheneta Beqoviq, Mjekësi, Nderim Buçaj, Mjekësi, Safedin Daciq, Mjekësi, Mirlinda Rexha, Farmaci, Valdrin Pereziq, Administrim-Biznes, Gani Demiroviq, Administrim-Biznes, Bajram Mehmedoviq, Administrim-Biznes, Arjeta Kurtoviq, Administrim –Biznes, Agron Mehmedi, Financë-Kontabël, Gazmend Kovaçeviq, Financë-Kontabël, Fadil Dauti, Matematikë. Në Universitetin Politeknik në Tiranë: Gani Daciq, Mekanikë, Avni Gjonbalaj, Arkitekturë Urbane, Viktor Junçaj, Elektroteknikë, Valdet Kurti, Elektronilë, Haki Salaj, Elektrikë. Në Universitetin Bujqësor në Tiranë: Mentor Hoti, Ekonomi e Përgjithshme, Ekrem Cucoviq, Administrim. Në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër: Tahir Sinanoviq, Matematikë-Fizikë, Fadil Kovaçeviq, Histori-Gjeografi, Mirsad Gjokoviq, Mësuesi e Ciklit të Ultë, Sali Gjonbalaj, Drejtësi, Naim Daciq, Drejtësi, Fatmir Gjekoviq, Ekonomi, Naim Hoxha, Ekonomi, Rexhep Gjelosheviq, Ekonomi, Caf Sinanoviq, Ekonomi, Naser Perasheviq, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Zaim Perasheviq, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe në Universitetin Politeknik në Korçë u regjistrua Arben Kurti. Ka pasur edhe disa kandidatë që Komisioni i ka zgjedhur për t’u regjistruar, por për shkaqe subjektive apo objektive nuk janë regjistruar. Edhe në vitet e ndërmjetme u regjistruan disa kandidatë të cilët kishin studiuar në Prishtinë si: Gëzim Hajdinaga, Anton Lajçi, Senad Gilaj, Nikë Kalaj e ndonjë tjetër.

  • Dëshira dhe ëndrra e shumë gjeneratave më parë për të studiuar në shtetin amë u bë realitet
    Kështu, pas një viti ndërprerje të rinjtë shqiptarë vazhduan traditën e shkollimit në gjuhën amtare. Me regjistrimin e studentëve të parë shqiptarë nga Mali i Zi në Universitetet e Shqipërisë u sigurua vijueshmëria e shkollimit në gjuhën shqipe dhe njëkohësisht u plotësua ëndrra e kamotshme e gjeneratave të prindërve të këtyre studentëve dhe të tjerëve për të studiuar në Shqipëri. Regjistrimi në Universitetet e Shqipërisë, sidomos i studentëve meshkuj, u solli atyre pengesa dhe vështirësi të konsiderueshme që çonte gjer të rrezikimi i jetës së tyre. Pothuajse asnjë student mashkull nuk mund të merrte pasaportë për kalimin legal të kufirit. Ata plot 4 apo 5 vjet sa zgjatshin studimet për të hyrë në Shqipëri u detyruan të kalojnë kufirin në mënyrë ilegale. Studenti Nexhat Avdiqi i ishte drejtuar me kërkesë organit ushtarak në Tivar për shtyrjen e shërbimit ushtarak sepse nëse i lejohej do kishte të drejtë të marrë pasaportën. Natyrisht, organi ushtarak i Tivarit, sjell vendimin nr.03-235/28.09.1994 me të cilin refuzohet kërkesa e tij. Në arsyetim të vendimit ndër të tjera thuhet: “Nga evidenca zyrtare e këtij organi është vërtetuar se i përmenduri është thirrur, gjegjësisht është planifikuar për ta nisur në Ushtrinë e Jugosllavisë, nuk i është përgjigjur ftesës dhe kundër tij është lëshuar urdhëresa për ekzekutimin e detyruar. Po ashtu i përmenduri për t’u regjistruar në fakultet jashtë shtetit nuk ka mundur të shkojë pa lejen e këtij organi”! Dhe kështu për studentët që u regjistruan në Shqipëri ekzistonte rreziku permanent i arrestimit të tyre në kufi dhe çuarja direkt në shërbimin ushtarak jugosllav.
  • Rreziku i kalimit ilegal të kufirit
    Sa herë që shkonin në fakultet apo vinin në shtëpi studentët u përballën me situata të ndryshme e të rrezikshme. “Një të premte pasdite po ktheheshim në shtëpi dhe posa dolëm në anën tonë, pa pritur e kujtuar, para nesh u shfaq ushtari jugosllav me tytën e pushkës të drejtuar drejt nesh! Nuk na lejoi të shkonim në shtëpitë tona dhe u desh që të kthehemi përsëri në Shqipëri. Pastaj diku më poshtë Bunës morëm një lundër tjetër e dolëm në Lisna Bore dhe disi mbërritëm në shtëpi!” deklaruan njëzërit Agron Mehmedi dhe Fadil Kovaçi, studentë të gjeneratës së parë në Shqipëri. Ata përmendën edhe rastin e ndalimeve të shpeshta në Shkodër, kinse për verifikim nga policia e shtetit. “Na ndaloi një polic në qendër të qytetit, na kërkoi pasaportat të cilat ne nuk i kishim.
    Kërkonte nga ne diçka apo thoshte se do të na çojë në polici. Ne ia shpjeguam gjendjen tonë dhe arsyen e qëndrimit pa leje në Shqipëri, por ai vazhdonte kërkesën e tij. Ne të revoltuar e të
    mërzitur nga këto ndalesa i thamë: na çoni bre burrë në polici e të merret vesh njëherë e përgjithmonë puna e jonë. Vërtetë pastaj na lëshoi”.
    Nuk ishte aspak e lehtë përballja e studentëve me kushtet e vështira të kapërcimit ilegal të kufirit, në kushtet e motit të keq, presionit psikik që sjellë me vete thyerja e shtigjeve kufitare dhe rreziku i arrestimit nga forcat jugosllave në kufi, prandaj studentët e gjeneratës së parë nga Mali i Zi që mbaruan studimet në universitetet e Shqipërisë meritojnë respekt të veçantë.
Lajmet e fundit
Related news