32.9 C
Tuzi
Wednesday, June 18, 2025

Nga terri i harresës në majat e suksesit – Deçiqi, simbol i ringjalljes!

Nga një ekip që vite më parë luftonte për mbijetesë në ligat e ulëta të futbollit malazez, në një klub kampion dhe tashmë fitues i Kupës së Malit të Zi – kjo është rruga e jashtëzakonshme e KF Deçiqi. Një rrugëtim që nuk është thjesht sportiv, por një histori ringjalljeje, krenarie dhe bashkimi.

Fitorja e fundit kundër Mornarit në finalen e zhvilluar në Nikshiq, me rezultatin 1:0, vulosi një kapitull të ri në historinë e KF Deçiqi. Kupa e parë në historinë e klubit u bë realitet dhe me të, Deçiq siguroi edhe pjesëmarrjen në arenën europiane.

Ky sukses nuk erdhi rastësisht. Ai është produkt i punës së palodhur, i vizionit të qartë dhe i një komuniteti që kurrë nuk reshti së besuari. 

Presidenti i klubit, Pal Dreshaj, ka përgëzuar skuadrën për arritjen historike, duke theksuar se “trofeu i dytë tashmë është në sirtarin tonë”, ndërsa kryetari i Komunës së Tuzit, z. Lindon Gjelaj, ka uruar ekipin dhe ka theksuar se kjo fitore e ka bërë krenar çdo qytetar të Malësisë. Në të njëjtën linjë, edhe ministri Marash Dukaj e cilësoi këtë rrugëtim si një histori frymëzimi dhe suksesi të jashtëzakonshëm, nga shpëtimi nga Liga e Tretë deri tek titulli kampion dhe tani edhe triumfi në Kupë.

Deçiqi tashmë është jo vetëm një emër i respektuar në futbollin malazez, por edhe një simbol i vullnetit, pasionit dhe unitetit të një komuniteti të tërë që qëndron pas tij.

Lajmet e fundit
Related news