Regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave pas dy shtyrjeve do të nisë nesër, e diel, 3 dhjetor. Regjistruesit e Drejtorisë për Statistikë, mbi 3 mijë prej tyre, do të jenë çdo ditë në terren, nga ora 08:00 deri në 20:00, duke vizituar shtëpitë e qytetarëve.
Qytetarët mund t’i drejtojnë të gjitha pyetjet dhe dyshimet lidhur me regjistrimin duke telefonuar në Qendrën Informative: 020/230-811 dhe 068/851-500 çdo ditë, nga ora 08:00 deri në 20:00.
“Pjesëmarrja në regjistrim do të thotë vendosmëria e çdo individit për të siguruar bazën për një të ardhme më të mirë, bazuar në të dhëna të sakta dhe për këtë arsye i ftojmë të gjithë qytetarët të marrin pjesë në Regjistrimin e Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave për vitin 2023, sepse – Të gjithë ne jemi të rëndësishëm,” thuhet në një njoftim e Drejtorisë për Statistikë Monstat.
Kryeministri Millojko Spajiq, në lidhje me fillimin e regjistrimit, tha se përshendetë mundin dhe kontributin e të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në bisedime dhe përgatitjen e Regjistrimit të Popullsisë.
“Vetëm në një muaj nga takimi i parë, kemi gjetur një masë kompromisi ku të gjithë janë të kënaqur. Faleminderit dhe Kuvendit për efikasitetin dhe vendosmërinë për të qenë një mbështetje e fuqishme në këtë proces,” tha Spajiq./Malësia.ME/