19.9 C
Tuzi
Thursday, May 23, 2024

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, njëherazi Ministër për Zhvillim Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj.

Duke e falënderuar zëvendëskryeministrin Gjeloshaj për vizitën në Kosovë, kryetari Konjufca vlerësoi lart marrëdhëniet midis Kosovës dhe Malit të Zi, si dy shtete me raporte të mira bashkëpunimi. 

Kryetari Konjufca vlerësoi mbështetjen e Malit të Zi ndaj Republikës së Kosovës, duke e konsideruar këtë si tregues të vullnetit dhe gatishmërisë për thellimin e këtyre raporteve.

Kreu i Kuvendit vuri në pah se Republika e Kosovës i bashkëndan dhe i qëndron përkrah synimeve zhvillimore dhe atyre të integrimit evropian të Malit të Zi. Sipas tij, ky qëndrim forcohet edhe më shumë prej faktit të nevojës së përparimit të rajonit tonë dhe dëshirës për t’i parë gjithnjë e më mirë bashkëkombasit tanë shqiptarë të Malit të Zi.

Teksa biseduan për zhvillimet politike në Kosovë dhe Mal të Zi, kryetari Konjufca tha që me z. Gjeloshaj u pajtuan se zhvillimi dhe siguria e shteteve tona, si dhe e rajonit kërkon angazhim të pandërprerë në mbrojtje të sovranitetit, shtetit të së drejtës dhe demokracisë, kërkon qëndrim të palëkundur kundër agjendës dhe influencës ruse në rajon.

Zëvendëskryeministri Gjeloshaj e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit të mëtejmë për të avancuar interesat e përbashkëta.

Lajmet e fundit
Related news