Në Ulqin, sot u hap zyrtarisht Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, në një ceremoni solemne që shënoi një moment historik për shqiptarët dhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Në ceremoninë përuruese morën fjalën Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Ulqin, Arben Doçi.
Në fjalët e tyre, u theksua rëndësia e këtij hapi për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, për rritjen e pranisë institucionale të Shqipërisë në Mal të Zi dhe për shërbimin më të mirë ndaj qytetarëve, veçanërisht atyre me origjinë shqiptare në këtë rajon.
Në ceremoni morën pjesë zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe Parlamentit të Malit të Zi, përfaqësues të partive politike shqiptare, institucioneve të ndryshme si dhe qytetarë të shumtë, duke e kthyer këtë ngjarje në një festë simbolike të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërshtetëror.