Me futjen e zgjidhjeve digjitale të avancuara teknologjikisht, po krijojmë një administratë moderne, efikase dhe transparente! Digjitalizimi nuk është vetëm një hap drejt përshpejtimit të proceseve, por edhe drejt një pune elektronike më transparente dhe të sigurt, në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat më të mira.
Ministria e Administratës Publike me krenari njofton për implementimin e suksesshëm të sistemeve të avancuara teknologjikisht: Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Dokumenteve (eDMS), Sistemit Elektronik për ndjekjen e seancave të Qeverisë (eSV) dhe Trupit Certifikues GovME CA, duke arritur kështu digjitalizimin e plotë të proceseve administrative.
Këto zgjidhje mundësojnë një menaxhim më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas të dokumenteve, duke reduktuar nevojën për punë me dokumente fizike dhe duke përshpejtuar punën e institucioneve. Falë sistemit GovME CA, dokumentet tani mund të nënshkruhen dhe verifikohen elektronikisht, duke siguruar vlefshmërinë ligjore dhe mbrojtjen e të dhënave.
Përmes integrimit të GovME CA me sistemet e eDMS dhe eSV, kemi mundësuar përpunimin, nënshkrimin, kandidimin, shqyrtimin dhe miratimin më të shpejtë dhe më të sigurt të dokumenteve dhe propozimeve në seancat e Qeverisë së Malit të Zi.
Më pak burokraci, më shumë produktivitet!
Procesi është i automatizuar! Me futjen e sistemeve eDMS, GovME CA dhe eSV, përshpejtohet puna e Qeverisë së Malit të Zi dhe institucioneve. Sistemet garantojnë ruajtjen e integritetit të dokumenteve nga momenti i krijimit deri në arkivimin përfundimtar. Dokumenti i krijuar në ministri dhe i nënshkruar digjitalisht është i njëjtë me atë që automatikisht regjistrohet në zyrën protokollare të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë dhe në arkivën elektronike të portalit për seancat elektronike.
Qasje për të gjithë!
Sistemet tona digjitale eDMS, GovME CA dhe eSV mundësojnë përgatitjen e dokumenteve në formë “të lexueshme”, duke ofruar akses më të lehtë në informacionet që publikohen në faqen e Qeverisë (www.gov.me). Çdo nëpunës është pjesë aktive e këtij procesi dhe një hallkë e rëndësishme në krijimin e dokumenteve digjitale.
Më pak letër, më shumë qëndrueshmëri!
Me digjitalizimin, ulim kostot dhe mbrojmë mjedisin! eDMS, GovME CA dhe eSV kontribuojnë në një administratë më efikase dhe në një shoqëri më përgjegjëse ndaj mjedisit.