Home Kryesore Gjeloshaj: Rreth 15% e totalit të pronës së përbashkët i takon Komunës së Tuzit

Gjeloshaj: Rreth 15% e totalit të pronës së përbashkët i takon Komunës së Tuzit

0
Gjeloshaj: Rreth 15% e totalit të pronës së përbashkët i takon Komunës së Tuzit

Në procesin e demarkacionit me kryeqytetin, komuna e Tuzit kërkon që të ndahet e gjithë prona në pronësi të Podgoricës dhe besojnë se rreth 15 për qind e totalit të pronës së përbashkët i takon atyre, proporcionalisht me territorin dhe numrin e banorëve. 

Anëtari i Komisionit për krijimin e kushteve për punë të komunës së sapoformuar në emër të komunës së Tuzit dhe njëherësh ministër aktual i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj duke iu përgjigjur pyetjes së „Vijesti-t“ se si kanë arritur në atë përllogaritje, ai tha “në bazë të territorit, numrit të banorëve dhe të dhënave nga regjistrimi i mëparshëm”. 

Ai tha se nuk kanë informacione për totalin e pasurisë së Kryeqytetit, duke thënë se do të bëhet vlerësimi i pasurisë së qytetit dhe të gjitha institucioneve dhe kompanive ku Kryeqyteti është themelues. 

Gjeloshaj tha se vlerësuesit do ta përcaktojnë shumën prej 15 për qind në para dhe konfirmoi se nëse diçka nuk mund të ndahet, komuna e Tuzit do të kërkojë kompensim monetar. 

Ai shpreson që të gjitha këto çështje të zgjidhen në mbledhjet e Komisionit për Demarkacionin e Tuzit dhe Podgoricës: „Nëse jo, komisioni i arbitrazhit do t’i përcaktojë të gjitha këto”, tha Gjeloshaj. 

Mbledhja e Komisionit për demarkacionin e Tuzit dhe Podgoricës do të mbahet në fund të javës së ardhshme.

Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2016, kur Tuzi ishte komunë urbane, totali i pronës të kryeqytetit, ku përfshihen objektet ndërtimore, toka dhe pajisjet, llogariteshin në 340 milionë euro. Pesëmbëdhjetë për qind e kësaj shifre është 51 milionë euro.