
Janë cinike përpjekjet nëse lidhen problemet e shumta të Ulqinit, për të cilat Ilir Çapuni dhe grupi i tij politik janë përgjegjës, me faktin se Ministri i Administratës Publike është me kombësi shqiptare, dhe imponimi i gjoja mungesës së vetëdijës kombëtare apo çfarëdo, deklaroi Ministri i Administratës Publike dhe drejtori politik i Alternativës Shqiptare (ASH), Marash Dukaj.
Ai ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Aleancës Shqiptare, Ilir Çapuni, në të cilën mes të tjerash, thuhet se “projektligji që pretendon se Ulqini nuk mund të marrë statusin e qytetit është zhgënjyes për qytetarët e Ulqinit dhe Shqiptarët në Mal të Zi”.
Dukaj në deklaratë të vetë ka theksuar se i sugjeron Çapunit që më me kujdes t’i analizojë dhe t’i kuptojë deklaratat e Ministrisë së Administratës Publike (MAP), veçanërisht të lexojë me kujdes tekstin ligjor në pjesën e kushteve për marrjen e statusit të një qyteti.
“Ulqini është sigurisht një nga komunat që ka perspektivën e një qyteti, por këto mundësi nuk janë krijuar falë Çapunit dhe politikës që përfaqëson ai dhe aleatët e tij politikë, por falë vizionit të Forumit Shqiptar dhe qëndrimit të përgjegjshëm të Ministrisë që unë e përfaqësoj. Ky nuk është i vetmi dallim mes ne të dyve, por është shumë i rëndësishëm. Për gjoja padrejtësinë e bërë ndaj Ulqinit dhe Ulqinakëve, po ngrit zërin një anëtar i partisë që për gati dy dekada është bashkëautore e drejtpërdrejtë e rrënimit të qytetit dhe kolapsit të tij financiar. Për shkak të veprimeve të atilla, një qytet që ekziston për më shumë se 2500 vjet nuk mund të përfshihet në listën e UNESCO-s të trashëgimisë kulturore botërore”, deklaroi Dukaj.
Ai ka thanë se për përgjegjësinë për këtë gjendje dhe sjellje e dinë jo vetëm Ulqinakët, por edhe gjithë Mali i Zi dhe se aktakuzat e ngritura dhe zhvillimi i procedurave gjyqësore mjaft flasin për këto fakte.
“Janë cinike përpjekjet nëse lidhen problemet e shumta të Ulqinit, për të cilat Ilir Çapuni dhe grupi i tij politik janë përgjegjës, me faktin se Ministri i Administratës Publike është me kombësi shqiptare, dhe imponimi i gjoja mungesës së vetëdijës kombëtare apo çfarëdo. Sepse dihet shumë mirë se decentralizimi i pushteteve vendore është një nga pikat dhe programet kryesore të Forumit Shqiptar. Ulqini, si shumë vetëqeverisje lokale të tjera në Mal të Zi, do të gëzojë mundësinë të ngritet nga statusi i komunës në statusin e qytetit dhe në këtë mënyrë të fitojë më shumë kompetenca në fushën e arsimit parashkollor, kujdesit shëndetësor, mbrojtjes sociale, planifikimit hapësinor, etj, ka thënë Dukaj në deklaratën e vetë.
Ai po ashtu tha se Ulqini dhe qytetarët e tij jo vetëm që e meritojnë, por me ligjin e ri do të fitojnë mundësi reale për shfrytëzimin e pasurive të jashtëzakonshme natyrore, për tërheqjen e investitorëve, për projekte bashkëpunimi me vetëqeverisjet e tjera lokale në Mal të Zi dhe më gjerë, dmth për zhvillim, sukses dhe jetë më të mirë.
“Dhe çdo gjë që ia keni bërë të pamundur këtij qyteti të bukur për pothuajse të gjitha këto 20 vite, unë personalisht dhe Forumi Shqiptar do të bëjmë çmos për t’ia kthyer Ulqinit lavdinë e merituar, dhe këtë ju e dini mirë dhe prandaj keni reaguar, sepse pa dyshim që nuk dini asnjë gjë tjeter. Ulqinit, Shqiptarëve dhe të gjithë banorëve të tij, pa marrë para sysh përkatësinë e tyre kombëtare, uroj zhvillim dhe përparim dinamik – që u takon dhe që e meritojnë”, ka përfunduar Dukaj.