Gegaj: Ndryshimi i pushtetit në Serbi nuk nënkupton edhe ndryshimin e sistemit politik

0
34

Në një intervistë për gazetën „Pobjeda“, Nikola Gegaj, ish-deputet ka komentuar zhvillimet politike në Serbi dhe Mal të Zi, çështjen e Kosovës, marrëdhëniet rajonale dhe rritjen e nacionalizmit në Ballkan.

Duke folur për situatën politike në Serbi, Gegaj vlerësoi se ndryshimi i pushtetit nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe ndryshim demokratik. Sipas tij, liderët mund të ndryshojnë, por ideologjia mbetet e njëjtë. Ai kujtoi përvojën politike të Serbisë pas vitit 2000 dhe theksoi se trashëgimia e politikës së viteve ’90 vazhdon të jetë e pranishme.

Sa i përket Kosovës, Gegaj theksoi se njohja e pavarësisë dhe tejkalimi i retorikës nxitëse janë çështje kyçe për stabilitetin rajonal. Ai vlerësoi se qëndrimet politike në Serbi dhe ndarjet e thella rreth statusit të Kosovës nuk japin shumë shpresë për normalizimin e shpejtë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas tij, përfaqësuesit e Listës Studentore po shfaqin qëndrime edhe më të ashpra ndaj Kosovës, por edhe ndaj vendeve fqinje, përfshirë Malin e Zi.

Gegaj kritikoi edhe deklaratën e ministres serbe Snežana Paunović lidhur me Kosovën dhe vitin 1999, duke e cilësuar atë si deklaratë nazifashiste. Ai vlerësoi se reagimet ndaj kësaj deklarate tregojnë se ideologjia e viteve ’90 vazhdon të jetë e pranishme në skenën politike serbe.

Duke folur për Malin e Zi, Gegaj deklaroi se një pjesë e pushtetit nuk dëshiron sinqerisht përmirësimin e marrëdhënieve me Kroacinë. Si shembull përmendi Rezolutën për Jasenovacin, për të cilën tha se Kuvendi i Malit të Zi, sipas vlerësimit të tij, veproi si zgjatim i Beogradit.

Ai paralajmëroi gjithashtu për rritjen e nacionalizmit, gjuhës së urrejtjes dhe tensioneve ndëretnike në rajon. Sipas Gegajt, elitat politike dhe rrjetet sociale kanë rol në përhapjen e ideve ksenofobe, ndërsa këto dukuri rrezikojnë marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve dhe stabilitetin e Ballkanit.

Në intervistë, Gegaj foli edhe për rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke vlerësuar mirënjohjet e marra nga Shkodra dhe Malësia e Madhe si dëshmi të bashkëpunimit, respektit të ndërsjellë dhe kontributit të tij në jetën publike.