Mbrëmë u përurua zyrtarisht salla e modernizuar dhe e digjitalizuar e kinemasë në QKI “Malësia”, një investim i rëndësishëm në funksion të zhvillimit të jetës kulturore në Komunën e Tuzit.
Në ceremoninë solemne morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale dhe shtetërore, ndërsa hapjen zyrtare e bëri ministrja e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi, Tamara Vujoviq.
Me këtë rast u shfaq filmi “Trumbeta e zezë”, ndërsa publiku pati mundësinë të njihej edhe me një pjesë të ekipit realizues të filmit.
Salla e pajisur me teknologji moderne, përfshirë mundësinë e projeksioneve 3D, do të mundësojë një përvojë bashkëkohore kinematografike dhe do të pasurojë përmbajtjet kulturore për qytetarët e Komunës së Tuzit.
