Gjelaj në New York me diasporën: Bashkë vazhdojmë zhvillimin e Malësisë

0
51

Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, mori pjesë në New York në manifestimin solemn të organizuar nga Shoqata “Malësia e Madhe” me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ku iu drejtua bashkatdhetarëve me një mesazh mirënjohjeje dhe përkushtimi për vendlindjen.

Në fjalën e tij, Gjelaj përcolli përshëndetjet nga Malësia, duke kujtuar edhe historinë e lavdishme të Deçiqit dhe ngritjen e flamurit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut më 6 prill 1911.

Ai vlerësoi lart kontributin e diasporës shqiptare në Amerikë, duke theksuar se, pavarësisht largësisë, ajo ka ruajtur lidhjet me Malësinë, ka mbështetur familjet dhe ka kontribuar në zhvillimin e vendlindjes.

Duke folur për zhvillimin e Malësisë, Gjelaj theksoi se që nga viti 2019, kur Forumi Shqiptar mori drejtimin e Komunës së Tuzit, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në infrastrukturë, ujësjellës, arsim, sport, kulturë dhe bujqësi.

Ai nënvizoi se synimi është krijimi i kushteve më të mira për qytetarët, mundësi të reja për të rinjtë dhe hapësirë më e madhe për investime të diasporës në vendlindje.

Në fund, Gjelaj bëri thirrje për ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe traditave shqiptare, veçanërisht te brezat e rinj që janë rritur në Amerikë, duke përcjellë mesazhin:

“Kudo që të jetojmë, Malësinë mos ta harrojmë!”