32.9 C
Tuzi
Wednesday, June 18, 2025

Alabar: Nuk i marr plazhet – ato janë pasuri publike, duhet të jenë të qasshme për të gjithë

Mohamed Alabar, themelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanive Emaar Properties dhe Eagle Hills, deklaroi në një ngjarje publike në Mal të Zi se operon plotësisht në përputhje me rregullat dhe nuk ka për qëllim të “marrë” apo privatizojë plazhet.

“Nuk po i marr plazhet. Ato janë pasuri publike dhe duhet të jenë të qasshme për të gjithë,” tha ai, duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga një pjesë e opinionit publik.

Alabar tha se aktualisht nuk ka një projekt konkret në Mal të Zi, por e sheh vendin si një mundësi për bashkëpunim të ndershëm dhe zhvillim të qëndrueshëm. “Dua t’i ndaj idetë hapur me ju. Nëse investoj, paratë do të vijnë nga banka evropiane dhe do të kalojnë nëpër kontroll të rreptë financiar. Nuk jam këtu për të blerë tokë – më pëlqejnë projektet e përbashkëta,” tha ai.

Ai theksoi se kontratat ndërmjet shtetit, investitorëve dhe pronarëve duhet të jenë të qarta dhe të bazuara në rregulla, duke i bërë thirrje komunitetit lokal dhe sipërmarrësve që të përfshihen në proces.

“Kjo është toka juaj. Pse të mos fitoni më shumë? Nëse doni 60% dhe unë 40%, ku është problemi?”, shtoi Alabar.

Duke përmendur Porto Montenegro-n, ai tha se ai është një shembull i një investimi që ka ngritur imazhin e Malit të Zi në botë. “Për disa, Porto Montenegro është më i njohur se vetë Mali i Zi,” theksoi ai.

Alabar shprehu dëshirën që të punojë me të rinjtë në Mal të Zi, me apo pa ndonjë projekt konkret. “Dua të ndërtoj parkun më të bukur në botë – qoftë në plazh, qoftë në mal. Kam ndërtuar 55 fusha lojërash, dhe dua të ndërtoj një edhe këtu për t’i sjellë nipërit e mi,” tha ai.

Ai e përfundoi fjalimin duke theksuar se për momentin këto janë ide dhe jo projekte të përfunduara.

Lajmet e fundit
Related news