32.9 C
Tuzi
Wednesday, June 18, 2025

SHKA“Koha” nga Dinosha fiton vendin e parë në festivalin në Rahovec

Shoqëria Kulturo-Artistike “Koha” nga Dinosha, Komuna e Tuzit, ka rrëmbyer vëmendjen dhe duartrokitjet e publikut në edicionin e sivjetëm të festivalit mbarëkombëtar folklorik “Anadrinia Jehon” në Rahovec. Me një paraqitje mbresëlënëse dhe autentike, “Koha” u shpërblye me vendin e parë, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin ndaj trashëgimisë kulturore shqiptare si dhe u shperblye me cmimin perfaqesimi më i mirë i valles burimore.
Juria profesionale, e përbërë nga: Shkodran Tolaj – magjistër i solokëndimit, Visar Munishi – magjistër i etnomuzikologjisë, Artan Ibershimi – profesor doktor i koreografisë në Akademinë e Arteve në Tiranë, Zymrije Grajqevci – drejtoreshë e FIDAF KOSOVA dhe valltare në Ansamblin “SHOTA”, Uesli Alushi dhe Gëzim Sertollaj, magjistra të koreografisë, si dhe drejtori i festivalit, Muharrem Morina, patën punë të madhe për të bërë vlerësimet e duhura, sepse prurjet artistike ishin të një niveli të kënaqshëm, duke dëshmuar seriozitetin e grupeve e të artistëve pjesëmarrës.

Fituesit e këtij edicioni ishin:
Çmimi i 1️⃣: Sh.K.A. “Koha” Dinoshë nga Tuzi;
Çmimi i 2️⃣: Sh.K.A. “Malsori” nga Gjonaj;
Çmimi i 3️⃣: Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Gjilani” nga Gjilani.

Programi i pasur i SHKA “Koha” përfshiu këngë maje krahut, instrumentale me çifteli e fyell, këngë me lahutë, kërcim tradicional malsor, si dhe një valle të stilizuar me titullin domethënës “Nga Dinosha në Vermosh, nga Malësia në Kelmend”. Të gjitha këto elemente u interpretuan me mjeshtri nga artistët e kësaj shoqërie, nën udhëheqjen e kryetarit Sulejman Beqaj, udheheqesit artistik Samir Beqaj dhe me koreografi të realizuar nga koreografi Aldo Nika.
Me xhubleta, çakshirë, lahutë, çifteli e bilbila, “Koha” solli në skenë shpirtin e Malësisë, duke e bërë traditën të gjallë përmes brezave. Ky sukses është rezultat i një pune të palodhshme që nga viti 1977, kur u themelua kjo shoqëri. Sot, me rreth 60 anëtarë aktivë, “Koha” mbetet një ndër zërat më autentikë të kulturës shqiptare në trevat e Malësisë.

Përveç prezantimeve në festivalin “Anadrinia Jehon”, SHKA “Koha” ka përfaqësuar me dinjitet kulturën tonë në shumë festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë katër festivale në Turqi, duke dëshmuar se tradita shqiptare ka zë dhe vend në skenat e botës.
Urime të përzemërta për këtë arritje të merituar!
Samir Beqaj

Lajmet e fundit
Related news