Shkruan: Anton Gjokaj
Pse është “çudi” kur politikanët takohen në Mal të Zi? Shembuj nga bota që e bëjnë këtë realitet të pakuptimtë
Në historinë e politikës rajonale dhe globale, takimet mes liderëve që kanë qenë në konflikt, madje edhe në armiqësi të thellë, janë parë si hap drejt pajtimit, normalizimit apo përballimit të krizave më të mëdha. Nga bota, rajoni, e deri te fqinjët tanë më të afërt – ka pafund shembuj kur liderët kanë kapërcyer ndasitë për të biseduar. Por në Mal të Zi, çdo takim politikë ngjall habi, dyshim e madje edhe akuza.
Takimet politike nuk duhet të jenë tabu, sepse dialogu është thelb i demokracisë dhe funksionimit të institucioneve. Ato tregojnë maturi dhe përgjegjësi ndaj interesit shtetëror, duke mundësuar zgjidhje për sfidat e përbashkëta, edhe kur nuk ka pajtim të plotë. Pa komunikim, nuk mund të ndërtohet asnjë konsensus i qëndrueshëm.
Shembuj nga historia dhe rajoni:
Yitzhak Rabin dhe Yasser Arafat – Lideri i Izraelit dhe lideri i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) u takuan dhe nënshkruan marrëveshjet e Oslos në vitet ’90, edhe pse për dekada ishin armiq të deklaruar dhe përfaqësues të palëve në konflikt të përgjakshëm.
• Richard Nixon dhe Mao Zedong – Në vitin 1972, presidenti amerikan Nixon u takua me udhëheqësin kinez Mao Zedong, çka shënoi hapjen historike të Kinës ndaj Perëndimit, pavarësisht ideologjive totalisht të kundërta dhe Luftës së Ftohtë.
• Kim Jong-un dhe Donald Trump – Takimi i parë ndonjëherë mes një presidenti amerikan në detyrë dhe liderit të Koresë së Veriut ndodhi në 2018. Dy liderë që kërcënonin njëri-tjetrin me luftë bërthamore, u takuan në mënyrë publike për të diskutuar denuklearizimin.
• Angela Merkel dhe Vladimir Putin – Edhe pse përfaqësonin krahë të kundërt të politikës globale dhe shpesh përplaseshin për Ukrainën dhe të drejtat e njeriut, janë takuar vazhdimisht për të ruajtur kanalet e dialogut.
• Franjo Tuđman dhe Slobodan Milošević – Dy liderë të përfshirë drejtpërdrejt në konfliktet e përgjakshme të viteve ’90 në ish-Jugosllavi, u takuan gjatë bisedimeve për ndalimin e luftës në Bosnje.
• Barack Obama dhe Raúl Castro – Pas dekadash marrëdhëniesh të ngrira, presidenti amerikan Obama u takua me udhëheqësin kuban Raúl Castro në 2016, duke nisur procesin e normalizimit të marrëdhënieve SHBA–Kubë.
• Nelson Mandela u takua dhe bashkëpunoi me liderët e regjimit që e mbajti në burg për 27 vite. Kjo nuk u pa si tradhti, por si triumf i pajtimit kombëtar.
• Joe Biden dhe Vladimir Putin janë takuar disa herë, pavarësisht përplasjeve serioze mes SHBA-së dhe Rusisë.
• Aleksandar Vučić dhe Albin Kurti janë ulur në tavolinën e dialogut në Bruksel, pavarësisht marrëdhënieve tejet të tensionuara mes Serbisë dhe Kosovës.
• Edi Rama dhe Sali Berisha kanë pasur takime në kuadër të interesit kombëtar, edhe pse janë kundërshtarë të ashpër politikë.
Të gjithë këta liderë kanë ditur të ndajnë interesin shtetëror nga konfliktet personale apo partiake – dhe pikërisht për këtë, takimet e tyre janë parë si përgjegjësi politike.
Prandaj, nëse liderë të përfshirë në luftëra të përgjakshme mund të ulen në një tryezë, është vërtet e çuditshme që në Mal të Zi, një takim politik për çështje të brendshme interpretohet si “tradhti.