Forumi Shqiptar kërkon nga Kryeministri zbatimin e Marrëveshjes: Përcaktimin e kufijve Tuz–PG, decentralizimi, mandate të garantuara, projekte kapitale, formimin e Komunës Urbane të Krajës

0
24

KËRKESË PËR REALIZIMIN E DETYRIMEVE NGA MARRËVESHJA PËR FORMIMIN E QEVERISË SË 44-TË TË MALIT TË ZI

I nderuar zoti Kryeministër,

Duke iu referuar Marrëveshjes për mbështetjen parlamentare, konstituimin e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv dhe prioriteteve politike të Qeverisë së 44-t të Malit të Zi, Forumi Shqiptar tërheq vëmendjen ndaj detyrimeve që nuk janë realizuar ose nuk janë realizuar në masën e nevojshme.

Këto kërkesa burojnë nga të drejtat dhe interesat legjitime të popullit shqiptar, të komunave ku shqiptarët përbëjnë shumicën dhe të qytetarëve që përfaqësohen politikisht nga Forumi Shqiptar. Qëllimi i tyre është rikthimi i marrëdhënieve te parimet e barazisë, partneritetit, dialogut të rregullt dhe përmbushjes së qëndrueshme të detyrimeve të marra përsipër.

Për të siguruar trajtim të qartë dhe matshmëri të rezultateve, kërkesat i grupojmë në katër shtylla.

I. PARTNERITETI POLITIK, ZBATIMI I MARRËVESHJES DHE PËRGJEGJËSIA INSTITUCIONALE

  1. Bashkëpunimi dhe konsultimet në frymën e partneritetit

Marrëveshja parashikon transparencë, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë. Megjithatë, gjatë marrjes së disa vendimeve që ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtat dhe interesat legjitime të popullit shqiptar, Forumi Shqiptar dhe komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicën nuk janë konsultuar me kohë dhe nuk është arritur harmonizimi politik.

Është e domosdoshme të krijohet një mekanizëm i rregullt i bisedimeve ndërmjet kryetarëve të partive të shumicës parlamentare, si dhe të sigurohen konsultime të detyrueshme përpara marrjes së vendimeve që ndikojnë te partnerët e koalicionit.

  1. Realizimi i zgjidhjeve të dakorduara kadrovike

Zgjidhjet e dakorduara kadrovike janë pjesë përbërëse e marrëveshjes politike mbi bazën e së cilës është formuar Qeveria e 44-t e Malit të Zi. Realizimi i tyre jo i plotë, shtyrja ose ndryshimi i njëanshëm cenojnë besimin e ndërsjellë dhe barazinë e partnerëve të koalicionit.

Kërkojmë që të zbatohen plotësisht zgjidhjet kadrovike të dakorduara me Marrëveshjen dhe anekset e saj, si dhe të sigurohet përfaqësim i përshtatshëm dhe i barabartë i shqiptarëve në organet e administratës shtetërore, institucionet publike, ndërmarrjet në pronësi shtetërore dhe institucionet e tjera, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe parimin e përfaqësimit proporcional. Për çdo shmangie eventuale është e nevojshme të zhvillohen paraprakisht bisedime dhe të arrihet pëlqimi i nënshkruesve të cilëve u referohet vendimi.

  1. Raportimi, monitorimi dhe afatet

Qeveria duhet të paraqesë një pasqyrë të realizimit të Marrëveshjes, në të cilën do të përcaktohet qartë se çfarë është realizuar, çfarë nuk është realizuar, cilat janë arsyet e vonesave dhe brenda cilave afate të sakta do të përmbushet secili detyrim i mbetur.

Kërkojmë që Qeveria të paraqesë një përgjigje me shkrim brenda 30 ditëve dhe që brenda të njëjtit afat të mbahet një takim ndërmjet Kryeministrit dhe përfaqësuesve të Forumit Shqiptar. Përgjigjja me shkrim nuk mund të jetë vetëm një deklarim formal, por duhet të përmbajë një plan veprimi të plotë dhe të zbatueshëm, i cili për secilin detyrim përcakton institucionin kompetent, personin përgjegjës, mjetet e nevojshme, afatet ndërmjetëse, afatin përfundimtar dhe rezultatin e pritshëm.

Zbatimi i planit të veprimit të harmonizuar do të monitorohet çdo tre muaj përmes një mekanizmi të përbashkët koordinues të Qeverisë dhe Forumit Shqiptar. Qeveria do të paraqesë çdo tre muaj një raport mbi rezultatet e arritura, detyrimet e parealizuara, arsyet e vonesave eventuale dhe afatet e sakta për masat korrigjuese.

II. TË DREJTAT E SHQIPTARËVE, PËRFAQËSIMI POLITIK DHE MUNDËSITË E BARABARTA

  1. Të drejtat e pakicave, gjuha dhe simbolet kombëtare

Marrëveshja i obligon nënshkruesit e saj të respektojnë të drejtat qytetare, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave, si dhe integrimin e plotë të popujve pakicë, duke ruajtur identitetin e tyre kombëtar, kulturor dhe gjuhësor.

Në praktikë, nuk është siguruar zbatimi i qëndrueshëm i Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave dhe i Ligjit për Përzgjedhjen, Përdorimin dhe Shfaqjen Publike të Simboleve Kombëtare. Të drejtat e garantuara me ligj nuk mund të varen nga interpretimi arbitrar dhe as të kufizohen në mënyrë selektive.

Është e nevojshme:

  • të sigurohet përdorimi zyrtar i papenguar i gjuhës shqipe aty ku plotësohen kushtet ligjore;
  • të sigurohet përdorimi i lirë dhe i ligjshëm, si dhe shfaqja publike e simboleve kombëtare të shqiptarëve;
  • të unifikohet praktika e organeve shtetërore dhe të sigurohet përgjegjësia e zyrtarëve që mohojnë të drejtat e garantuara me ligj;
  • të sigurohen konsultime me përfaqësuesit legjitimë politikë të shqiptarëve për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në komunitetin shqiptar.
  1. Reforma zgjedhore, masa afirmative dhe mandatet e garantuara

Përmes ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor, listave autentike zgjedhore të popullit shqiptar duhet t’u sigurohet një numër i garantuar mandatesh deputetësh në Kuvendin e Malit të Zi, përmes një modeli të veçantë të masave afirmative, i cili nuk do të varet ekskluzivisht nga pragu i përgjithshëm zgjedhor, pjesëmarrja në zgjedhje ose matematika momentale zgjedhore.

Numri i mandateve të garantuara, kushtet për statusin e listës autentike shqiptare dhe mënyra e ndarjes së mandateve duhet të përcaktohen saktësisht me ligj, në marrëveshje me përfaqësuesit legjitimë politikë të shqiptarëve, sipas modeleve të ngjashme të shteteve evropiane. Në trupin punues që do të përgatisë këtë model duhet të sigurohet pjesëmarrja e tyre e drejtpërdrejtë.

  1. Përfaqësimi i barabartë

Është e nevojshme të hartohet një analizë zyrtare e përfaqësimit të shqiptarëve në sektorin publik dhe një plan veprimi për eliminimin e disproporcioneve të konstatuara, me përcaktimin e bartësve të përgjegjësisë, afateve dhe rezultateve të matshme, pa qasje selektive dhe pa veçuar institucione të caktuara.

III. DECENTRALIZIMI, FINANCAT LOKALE DHE ZHVILLIMI KAPITAL

  1. Qëndrueshmëria financiare e vetëqeverisjeve lokale

Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Financimin e Vetëqeverisjes Lokale përbëjnë një hap prapa, pasi zvogëlojnë të hyrat e komunave dhe mund të rrezikojnë funksionimin e tyre të rregullt, ofrimin e shërbimeve publike dhe realizimin e projekteve zhvillimore. Një qasje e tillë është në kundërshtim me detyrimet për decentralizim dhe zhvillim të barabartë rajonal që burojnë nga Marrëveshja.

Kërkojmë një model financimi përmes të cilit komunat nuk do t’i humbin të hyrat ekzistuese, por do t’u sigurohet rritja e duhur e tyre, në mënyrë që të mund të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga programi i rritjes së pagave, modeli EURO, dhe të vazhdojnë realizimin e projekteve kapitale dhe zhvillimore. Para miratimit të ligjit është e nevojshme të zhvillohen konsultime me komunat dhe të përgatitet një vlerësim i ndikimit financiar për secilën njësi të vetëqeverisjes lokale.

  1. Projektet kapitale dhe trajtimi i barabartë i komunave

Një numër i konsiderueshëm i projekteve të parashikuara në buxhetin shtetëror për komunat Tuz, Ulqin, Plavë dhe Guci nuk kanë filluar ose nuk po realizohen sipas dinamikës së planifikuar. Për secilin projekt është e nevojshme të paraqiten vlera, organi kompetent, gjendja e dokumentacionit, afati i planifikuar për shpalljen e tenderit, fillimi i punimeve dhe afati i përfundimit. Mjetet buxhetore të destinuara për këto komuna nuk mund të ridestinohen pa konsultime paraprake.

Marrëdhëniet dhe respektimi i Marrëveshjes janë cenuar veçanërisht pas marrjes së kontrollit mbi Drejtorinë për Investime Kapitale, pa konsultime me Forumin Shqiptar dhe në kundërshtim me marrëveshjen e partneritetit, pas së cilës u bllokua realizimi i projekteve kapitale në komunat ku shqiptarët përbëjnë shumicën.

Një praktikë e tillë krijon trajtim të pabarabartë dhe diskriminues ndaj komunave ku shqiptarët përbëjnë shumicën dhe kërkon rishqyrtim të menjëhershëm institucional, si dhe eliminimin e pasojave të saj. Kryeministri është njoftuar disa herë për këtë problem, por bllokadat nuk janë hequr, veçanërisht në Komunën e Tuzit, si dhe në komunat e tjera ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme ose shumicën e popullsisë.

Kërkojmë që kjo praktikë të ndërpritet menjëherë, që të shpallen pa vonesa të mëtejshme tenderët për të gjitha projektet e parashikuara në buxhet dhe të përcaktohet përgjegjësia institucionale për vonesat dhe bllokadat e deritanishme.

  1. Decentralizimi dhe zhvillimi i komuniteteve lokale

Është e nevojshme:

  • të përcaktohet dhe miratohet një ligj i ri për të mirat detare, i cili do t’u sigurojë kompetenca më të mëdha komunave bregdetare dhe një ndarje më të drejtë të të hyrave;
  • të zgjidhet çështja e statusit të Ulqinit si Qytet;
  • të përfundojë përcaktimi i kufijve administrativë dhe ndarja e pasurisë ndërmjet Komunës së Tuzit dhe Kryeqytetit;
  • të përgatitet një paketë masash për decentralizimin politik, administrativ dhe fiskal;
  • të nisë dialogu institucional dhe të përgatitet një analizë juridike, ekonomike dhe territoriale për formimin e Komunës Urbane të Krajës, e cila do të përfshinte bashkësitë lokale Ostros dhe Gjuravc (Gjyraç), me një model të qartë të kompetencave dhe financimit;
  • të përshpejtohet përfundimi i të gjitha aktiviteteve dypalëshe, infrastrukturore, doganore, policore dhe teknike për vënien në funksion të pikës së përbashkët kufitare Ckla–Zogaj (Skje–Zogaj), me një afat të saktë për hapjen e saj.

IV. EKONOMIA, BUJQËSIA DHE KONKURRUESHMËRIA

  1. Mbështetja për prodhimin vendas dhe ekonominë

Rritja e pagave përmes programit “Modeli EURO” duhet të shoqërohet me masa që forcojnë prodhimin vendas, ruajnë konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe kontribuojnë në stabilizimin e çmimeve.

Për këtë arsye, kërkojmë:

  • rritjen e Agrobuxhetit shtetëror dhe të mbështetjes së drejtpërdrejtë për prodhuesit bujqësorë;
  • mbështetjen e komunave në hartimin dhe realizimin e agrobuxheteve lokale;
  • uljen e normës së TVSH-së për pemët dhe perimet e freskëta;
  • rritjen e mjeteve për modernizimin e prodhimit, eksportin, konkurrueshmërinë dhe programet e veçanta për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme;
  • riorganizimin e SHA-së “Plodovi Crne Gore” Podgoricë si ndërmarrje e përbashkët e Qeverisë së Malit të Zi, Komunës së Tuzit dhe Komunës së Zetës.

Ndërmarrja “Plodovi Crne Gore” duhet të vihet në funksion si një sistem funksional për grumbullimin e organizuar, magazinimin, paketimin, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore vendase, me pika rajonale grumbulluese-shpërndarëse në Ulqin dhe Bijello Pole, si dhe me kapacitete të përshtatshme magazinimi dhe frigoriferike.

QËNDRIMI NDAJ STABILITETIT TË QEVERISË DHE RRUGËS EVROPIANE TË MALIT TË ZI

Forumi Shqiptar, si parti politike shtetformuese, do të vazhdojë të mbështesë në Kuvendin e Malit të Zi të gjitha detyrimet që lidhen me rrugën drejt Bashkimit Evropian, si dhe projektet kyçe zhvillimore dhe ekonomike të orientuara drejt rritjes së standardit të jetesës së qytetarëve. Për ne, rruga evropiane e Malit të Zi qëndron mbi interesat partiake dhe nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet nga paqëndrueshmëria politike.

Nuk do të mbështesim interpelancat dhe asnjë nismë që do të kishte për qëllim rrëzimin e Qeverisë së 44-t.

Njëkohësisht, pjesëmarrja e Forumit Shqiptar në pushtetin ekzekutiv duhet të ketë përmbajtje të mirëfilltë politike dhe programore. Nëse brenda afateve të përcaktuara nuk arrihet përparim i dukshëm në vendosjen e marrëdhënieve të partneritetit, respektimin e Marrëveshjes dhe realizimin e detyrimeve të marra përsipër, organet kompetente të Forumit Shqiptar do të shqyrtojnë formën dhe nivelin e pjesëmarrjes sonë të mëtejshme në pushtetin ekzekutiv.

Një shqyrtim i tillë në asnjë mënyrë nuk do të vinte në pikëpyetje mbështetjen tonë parlamentare për agjendën evropiane, stabilitetin politik dhe projektet me interes strategjik për Malin e Zi.

Theksojmë veçanërisht se përgjegjësia për rrugën evropiane të Malit të Zi, si dhe për funksionimin e Qeverisë dhe realizimin e detyrimeve të marra përsipër, i takon Kryeministrit, si drejtuesit të parë të pushtetit ekzekutiv. Kjo përfshin edhe përgjegjësinë për zbatimin e kërkesave të Forumit Shqiptar, respektimin dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, si dhe integrimin e tyre të plotë politik dhe institucional. Prandaj, presim që Kryeministri të sigurojë realizimin e detyrimeve të marra përsipër dhe të kërkesave të përfshira në këtë dokument, me afate të qarta dhe përgjegjësi të përcaktuar të institucioneve kompetente.

Presim që marrëdhëniet të rikthehen te parimet mbi të cilat është formuar Qeveria: barazia, respekti i ndërsjellë, dialogu i rregullt dhe përmbushja e qëndrueshme e detyrimeve të marra përsipër.