Kryetari i UDSH, Mehmed Zenka, ka thënë se e përkrah qeverinë e re malazeze për shkak të parimeve dhe marrëveshjes me mandatarin.
Ai tha se nuk ka kërkuar ndonjë vend në Qeveri dhe nuk e kanë kushtëzuar mbështetjen me ndonjë post.
“Ne i japim mbështetje qeverisë për shkak të nevojës së Malit të Zi për intensifikimin e rrugës evropiane dhe kursit properëndimor të shtetit të Malit të Zi; Nevojës së veçantë për pajtim dhe qetësimin e tensioneve duke vendosur një moratorium për të gjitha temat që përçajnë shoqërinë; Vazhdimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit me theks të veçantë mbylljen e kapitujve 23 dhe 24 në procesin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian; Bashkëpunim i fortë në kuadër të aleancës dhe partneritetit të NATO-s si dhe lidhja e pathyeshme me partnerin tonë kyç SHBA-në”, tha deputeti shqiptar.