Gjeloshaj: Të Mirat Detare dhe Decentralizimi duhet të zgjidhen në kuadër të Kapitullit 23

0
42

Çështja e të Mirave Detare, veçanërisht kufiri i saj në Ulqin, nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe çështje e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave dhe, si e tillë, duhet të trajtohet në mënyrën e duhur në kuadër të Kapitullit 23.

Krahas ndryshimeve të Ligjit për të Mirat Detare, e rëndësishme është edhe çështja e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, për të cilin, së bashku me ministrin Marash Dukaj, po përgatisim një numër të madh amendamentesh. Qëllimi është decentralizimi më i fuqishëm dhe krijimi i garancive konkrete ligjore për komunitetet e pakicave.

Ashtu siç kemi arritur, në ministrinë që unë drejtoj, të mbyllim shtatë kapituj negociues dhe të arrijmë standardet evropiane për ekonominë tonë, konsideroj se përmes Kapitullit 23 duhet të arrijmë standardet evropiane edhe sa i përket të drejtave të popujve pakicë.

Këto dy çështje duhet të zgjidhen në javët në vijim dhe nga këto kërkesa nuk do të heqim dorë.

Për këto, por edhe për çështje të tjera të hapura të popujve pakicë, përmes ambasadave të shteteve anëtare të BE-së në Mal të Zi do t’u përcillet një letër qeverive të tyre. Në të do të paraqitet gjendja e të drejtave të pakicave në Mal të Zi, shembuj konkretë të diskriminimit, si dhe do të evidentohen qartë aktorët politikë dhe institucionalë të cilët, me veprimet ose mosveprimet e tyre, pengojnë zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Shqetësimi ynë nuk është që rruga evropiane e Malit të Zi të ngadalësohet, por pikërisht e kundërta. Na shqetëson fakti se veprimi i papërgjegjshëm i pjesëve të caktuara të pushtetit ndaj të drejtave të pakicave mund ta rëndojë në mënyrë të panevojshme përparimin e shtetit në Kapitullin 23. Prandaj insistojmë që çështjet e hapura të zgjidhen me kohë, përmes institucioneve dhe në përputhje me standardet evropiane.

Mali i Zi ka bërë një hap të madh përpara në rrugën evropiane dhe këtë sukses duhet ta ruajmë. Standardet evropiane që kemi arritur në ekonomi duhet të zbatohen me të njëjtën forcë edhe në fushën e të drejtave të pakicave.

Qëllimi ynë është i qartë: të zgjidhim çështjet e hapura, të forcojmë të drejtat e popujve pakicë dhe të përshpejtojmë, e jo të ngadalësojmë, rrugën evropiane të Malit të Zi.