Zëvendëskryeministri për politikë ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, z. Nik Gjeloshaj, zhvilloi sot një takim bilateral me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó, duke konfirmuar partneritetin e fortë dhe të qëndrueshëm mes dy vendeve.
Pas takimit bilateral, zëvendëskryeministri Gjeloshaj dhe ministri Szijjártó mbajtën edhe një konferencë zyrtare për shtyp.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan për shumë çështje të rëndësishme, përfshirë forcimin e bashkëpunimit ekonomik, mundësitë e reja për investime dhe rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Të dy palët theksuan rëndësinë e përkushtimit të përbashkët ndaj vlerave europiane dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Zëvendëskryeministri dhe ministri Gjeloshaj theksoi mbështetjen e Hungarisë për integrimin europian të Malit të Zi.
“Hungaria mbetet një nga partnerët tanë më të afërt në rrugën drejt BE-së,” tha Gjeloshaj.
“Ne e vlerësojmë thellësisht mbështetjen e tyre politike dhe teknike, e cila na ndihmon të harmonizohemi me standardet e BE-së dhe të forcojmë institucionet tona,” shtoi ai.
Ministri Szijjártó theksoi nivelin e lartë të tregtisë dypalëshe që ka arritur nivele rekord, me kompanitë OTP dhe 4iG që kryesojnë në fushat e bankës dhe telekomunikacionit. Ai ritheksoi mbështetjen e fuqishme për anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe përshëndeti përpjekjet për mbylljen e 6 kapitujve të negociatave deri në fund të vitit.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në sektorët e infrastrukturës dhe transformimit dixhital. Gjithashtu, u paralajmërua nënshkrimi i një marrëveshjeje ndërqeveritare (G2G) në fushën e infrastrukturës dhe ndërtimi i një qendre të të dhënave (Data Center).