32.9 C
Tuzi
Wednesday, June 18, 2025

Dukaj prezentoi Qendrën Rajonale për Siguri Kibernetike Presidentës së Moldavisë

Ministri i Administratës Publike, mr Marash Dukaj, sot i prezantoi Presidentes së Republikës së Moldavisë, Maia Sandu, potencialet e Qendrës Rajonale për Kapacitetet Kibernetike.

Dukaj, në fjalën e mirëseardhjes, foli për sfidat me të cilat është përballur Mali i Zi nga sulmet kibernetike të vitit 2022 e deri më sot, kur në një periudhë relativisht të shkurtër, janë vendosur themele të forta të sigurisë kibernetike në Mal të Zi, që përbëjnë bazën për zhvillim të mëtejshëm.

“E kuptuam se siguria kibernetike është hallka që na lidh të gjithëve. Brenda përpjekjeve intensive për përmirësim, dhe në bashkëpunim me Francën dhe Slloveninë, u krijua kjo Qendër Rajonale. Me krenari theksoj se, brenda kompetencave të mia, kam marrë pjesë aktive në këtë proces,” tha Dukaj.

Ai theksoi se Mali i Zi është bërë qendër e fitimit të njohurive dhe shkëmbimit të përvojave në këtë fushë kërkuese, jo vetëm për Rajonin, por edhe më gjerë. “Siguria kibernetike duhet të përmirësohet vazhdimisht, sepse edhe sulmet janë gjithnjë e më komplekse, prandaj kjo Qendër është një nga arritjet tona më të mëdha,” tha ai.

“Vizita juaj është dëshmi që kemi përcaktuar mirë prioritetet. Do të vazhdojmë të përmirësojmë sigurinë kibernetike të Malit të Zi në përputhje me standardet e vendeve të zhvilluara,” deklaroi Dukaj.

“Ka shumë sfida, por përkushtimi ynë për të arritur standardet e BE-së është prioritar. Këtë e kemi dëshmuar dhe do të vazhdojmë ta dëshmojmë me rezultate,” përfundoi Dukaj.

Më pas u prezantua Qendra Rajonale.

Presidentja Sandu shprehu kënaqësinë për përparimin që ka bërë Mali i Zi në fushën e sigurisë kibernetike dhe uroi sukses në integrimin në BE.

Lajmet e fundit
Related news