Ismet Kallaba
Ulqini si qytet ka mangësi dhe probleme të shumta në aspektin e planifikimit hapësinor, por një ndër problemet evidente është mungesa e një sheshi në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale.
Sheshet janë ndërtime urbane që përdoren për qëllime shumëfunksionale – për tubime politike-shoqërore, protesta, manifestime të ndryshme kulturore (koncerte) etj.
Shikuar historikisht, agora ishte një shesh qendror në poliset (qytet-shtetet) antike greke dhe qendër e jetës artistike, shpirtërore, politike dhe sportive e qytetit. Te shqiptarët, logu ishte vendi (sheshi) ku mbaheshin kuvendet, diskutohej për çështje të ndryshme dhe merreshin vendime të rëndësishme.
Sheshet janë tregues edhe i madhështisë së një qyteti. Janë të njohur sidomos sheshet Tiananmen në Pekin të Kinës, si sheshi më i madh në botë; Sheshi i Kuq në Moskë, që konsiderohet sheshi më i madh në Evropë etj. Në hapësirën shqiptare, ndër më të njohurit dhe më të mëdhenjtë njëkohësisht janë sheshet Skënderbej dhe Nënë Tereza në Tiranë, por edhe shumë qytete të tjera shqiptare kanë sheshe. Pra, nuk ka pothuajse qytet pa të paktën një shesh. Para disa vitesh, edhe Tuzi ka fituar sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në vendin ku është ngritur shtatorja e heroit tonë kombëtar.
Po Ulqini?
Mungesa e vizionit të planifikimit urban e ka lënë Ulqinin të çalë edhe në këtë aspekt. Në mungesë të një sheshi të vërtetë, pushteti lokal apo edhe të tjerët janë detyruar të “shpikin” sheshe për organizime të ndryshme. Kështu, për shembull, i tillë është sheshi në Ranë, që vetëm shesh nuk është! Kujtoj një rast, kur po mbahej një aktivitet dhe kur moderatori i programit po thoshte Sheshi në Ranë, një shoku im që ishte për vizitë në Ulqin, më pyeti me ironi: A këtë e quani shesh ju?!
Apo “sheshi” tek ullinjtë (rrethrrotullimi te tre ullinjtë)!
Prandaj sot, në mungesë të një sheshi të vërtetë, jemi të detyruar të shpikim vende për të mbajtur aktivitetet e ndryshme, duke krijuar probleme dhe penguar edhe qarkullimin rrugor. Në këtë prizëm duhet përmendur eksperimenti i këtij viti kur Komuna e Ulqinit për mbajtjen e manifestimit “Sweet December” mbylli për gati një muaj njërin krah të Bulevardit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Pushteti lokal në Ulqin, më se një herë e ka keqpërdorur pronën publike, duke i tkurrur edhe ato pak hapësira publike ekzistuese. Shembulli më ilustrues (domethënës) është ai i vitit 2020, kur Kuvendi i Komunës së Ulqinit vendosi të shesë pronën (një truall me sipërfaqe 440 metra katrore) në Ranë, për të paguar pagat e punëtorëve të Komunës. Për krerët e atëhershëm të Komunës së Ulqinit dhe këshilltarët e Kuvendit që votuan për një vendim të tillë, kjo do të mbetet përgjithmonë një njollë e zezë, për arsyen e thjeshtë sepse prona nuk është e punonjësve të Komunës së Ulqinit, por e qytetarëve të saj. Kjo pronë është privatizuar, paratë janë shpenzuar, kurse qytetarët vuajnë mungesën e hapësirave publike.
Për ta përmbyllur, Ulqini ka nevojë për një shesh modern, i cili do t’i plotësonte të gjitha parametrat. Ai do të shërbente për qëllime të ndryshme dhe do të ishte në funksion të qytetarëve.