19.9 C
Tuzi
Monday, April 21, 2025

Presidenti Begaj vlerësoi përpjekjet që kanë ndërmarrë liderët shqiptarë në Mal të Zi

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj priti sot në një takim nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se gjatë takimit është biseduar mbi zhvillimet në shtetin fqinj me fokus rolin e faktorit politik të shqiptarëve dhe situatën e tyre.

Gjithashtu theksohet se presidenti Begaj vlerësoi përpjekjet që kanë ndërmarrë liderët shqiptarë në Mal të Zi “në dobi të shqiptarëve autoktonë në Malin e Zi”.

“Gjatë bisedës u shkëmbyen mendime për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve në dobi të qytetarëve, me theks të veçantë në projektet ndërlidhëse të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, forcimin politik e ekonomik të shqiptarëve që jetojnë në Malin e Zi”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, presidenti Begaj i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet midis dy vendeve, “gjë që u dëshmua edhe gjatë vizitës zyrtare që Presidenti i Republikës zhvilloi muajin e kaluar në Malin e Zi, i ftuar nga homologu i tij, Jakov Milatoviq”.

Begaj u ndal gjatë takimit edhe në intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve, si dhe forcimin e lidhjeve ndërajonale dhe euroatlantike, që sipas njoftimit, sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.

Lajmet e fundit
Related news