Pereziq: DPS ka zbatuar një politikë të heshtur, të vazhdueshme dhe sistematike të zbrazjes demografike të trevave shqiptare

0
68

Kur mungojnë argumentet, mbeten vetëm fyerjet, nënçmimi dhe tallja. Kjo nuk është politikë, por pafuqi politike e treguar nga DPS-ja dhe zonja Sonja Popoviq, deklaroi Valmir Pereziq, shef i Klubit të Këshilltarëve të Forumit Shqiptar në Kuvendin e Komunës së Ulqinit. 

Pereziq tha se një qasje e tillë tregon më së miri se DPS-ja nuk ka asnjë argument me të cilin mund të mbrojë qeverisjen e saj prej disa dekadash dhe trashëgiminë katastrofike që ka lënë në Ulqin dhe në të gjitha trevat ku jeton populli shqiptar.

Qytetarët e Ulqinit, Tuzit dhe të gjitha trevave ku jetojnë shqiptarët e mbajnë mend shumë mirë politikën e DPS-së. Gjatë dekadave të qeverisjes së tyre, këto komuna mbetën ekonomikisht prapa, potencialet zhvillimore u lanë pas dore, ndërsa mijëra të rinj u detyruan të largohen nga vatrat e tyre. Prandaj, DPS-ja nuk ka as kredibilitet politik e as moral që sot t’u japë leksione të tjerëve.

Pavarësisht kësaj politike, ata nuk arritën ta dobësojnë vetëdijen politike të popullit shqiptar. Përkundrazi, shqiptarët sot janë më të organizuar politikisht, më të bashkuar dhe më të fuqishëm se kurrë më parë. Forumi Shqiptar përfaqëson zërin autentik të shqiptarëve dhe mbron me përgjegjësi interesat e tyre në institucione, tha Pereziq.

Zonjës Popoviq i porosisim që, në vend të fyerjeve personale dhe sulmeve të ulëta për ChatGPT-në, të merret me trashëgiminë e partisë së saj. Qytetarët e dinë shumë mirë se kush e ka qeverisur Malin e Zi për dekada me radhë dhe kush mban përgjegjësi për gjendjen në të cilën janë lënë Ulqini, Tuzi, Plava, Gucia, Rozhaja dhe komunat e tjera.

Pereziq thekson se DPS-ja, përmes politikës së saj të vazhdueshme, ka zbatuar një politikë të heshtur, të vazhdueshme dhe sistematike të zbrazjes demografike të trevave shqiptare. Kjo qasje e shpërnguljes dhe e margjinalizimit ekonomik ka lënë pasoja të rënda për komunitetin shqiptar, por shqiptarët kanë arritur të mbijetojnë dhe ta ruajnë identitetin e tyre, pavarësisht të gjitha presioneve.

Fatkeqësisht, edhe sot Ulqini qeveriset nga një pushtet lokal jokompetent dhe i papërgjegjshëm, pjesë e të cilit është edhe DPS-ja. Në vend të zhvillimit, qeverisjes me përgjegjësi dhe realizimit të projekteve kapitale, qytetarët po përballen me kalkulime politike, mosveprim dhe mungesë vizioni. Një qeverisje e tillë vazhdon t’i shkaktojë dëm një qyteti që për dekada ka paguar çmimin e politikave të gabuara.

Megjithatë, qytetarët e Ulqinit do të kenë shumë shpejt mundësinë ta ndryshojnë këtë realitet. Në qershor të vitit 2027 do të vijë koha për ndryshim, përgjegjësi dhe një pushtet që do të punojë vetëm në interes të Ulqinit dhe qytetarëve të tij, perfundoi Pereziq.