14.8 C
Tuzi
Wednesday, October 8, 2025

Nismë për ndryshimin e emrit të Gjimnazit: Nga “25 Maji” në “Besa Malësia”

Maturantët e parë të Gjimnazit “25 Maji”, kanë nisur një nismë për ndryshimin e emrit të shkollës.

Ata propozojnë që shkolla të quhet Shkolla e Mesme e Përzier “Besa Malësia”.

Propozimin e tyre e ka mbështetur Këshilli i Shkollës.

Siç tha për “Dan” drejtori i shkollës, Sehad Lulanaj, do të presin të shohin nëse do të ketë edhe ndonjë propozim tjetër për ndryshimin e emrit.
– Iniciativa ka ardhur nga maturantët, që ishin gjenerata e parë e shkollës, të cilët së fundmi festuan 50-vjetorin e maturës. Këshilli i shkollës e ka mbështetur njëzëri këtë nismë, por meqenëse nuk kemi ndonjë ngut për ta ndryshuar emrin e shkollës, do të presim edhe pak në rast se vjen ndonjë propozim tjetër. Ndoshta do të ketë propozime edhe nga qytetarët, ndoshta edhe nga këshilli i mësuesve. Do të presim, sepse nuk na nxiton askush, dhe duam që të gjithë të jenë të kënaqur me emrin e ri të shkollës, sepse jemi një mjedis i tillë dhe nuk duam të ketë të pakënaqur. Do të mundohemi që emri të jetë sa më universal – tha Lulanaj.

Ai thekson se drejtoria ende nuk e ka formalizuar këtë nismë, por e mbështet.
– Rreth nismës duhet të pajtohemi të gjithë, e më pas t’i drejtohemi Komunës së Tuzit dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit me propozimin. Këshilli i shkollës i ka propozuar drejtorisë që ta miratojë këtë nismë, por do të japim kohë në mënyrë që të mblidhen edhe propozime të tjera e të zgjidhet më i miri. Për momentin, i vetmi propozim është “Besa Malësia”, për të cilin drejtoria e shkollës do të shprehet më vonë – tha Lulanaj.

Ai nënvizon se maturantët me këtë nismë kanë dashur që emri i shkollës të mos lidhet me asnjë datë.
– Është propozuar ndryshimi që emri të mos lidhet me asnjë datë konkrete dhe të mos shoqërohet me ndonjë ngjarje apo përkujtim. Pajtohemi që emri të ndryshohet dhe të gjendet një zgjidhje që të gjithë të jenë të kënaqur. Nuk duam të ketë ndarje, por të gjendet një emër universal – tha Sehad Lulanaj.

Lajmet e fundit
Related news