10.9 C
Tuzi
Friday, February 13, 2026

Nga 14 deri më 17 shkurt mbahet “Karnevali Koret 2026”, edicioni i 31-të në Tuz

Aktiviteti tradicional “Karnevali Koret 2026” do të mbahet nga 14 deri më 17 shkurt, duke shënuar edicionin e 31-të me radhë të këtij manifestimi kulturor që çdo vit sjell atmosferë festive dhe ruan traditën e karnavaleve në Tuz.

Të gjitha aktivitetet do të zhvillohen në Sheshi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ku është përgatitur një program i pasur me mbrëmje argëtuese, defile karnavalesh dhe aktivitete për fëmijë e të rritur.

Programi festiv nis më 14 shkurt me hapjen zyrtare të karnevalit dhe “Ballon në maska”, që do të sjellë një mbrëmje plot muzikë, maska dhe argëtim për pjesëmarrësit.

Më 15 shkurt, duke filluar nga ora 13:00, do të organizohet karnavali për fëmijë, ku pritet pjesëmarrja e mbi 20 ekipeve nga shkolla të ndryshme. Parakalimi i vogëlushëve me kostume dhe maska shumëngjyrëshe pritet të krijojë një atmosferë festive për familjet dhe qytetarët.

Dita e tretë, më 16 shkurt në orën 19:00, do të shënohet me “Natën e saragave dhe verës”, një mbrëmje tradicionale që ndërthur gastronominë lokale me muzikë dhe argëtim në sheshin qendror.

Karnevali Koret 2026 do të kulmojë më 17 shkurt me natën finale, ku në program janë parakalimi i grupeve të të rriturve me maska, djegia tradicionale e shtrigës dhe një program muzikor për publikun.

Organizatorët ftojnë qytetarët dhe vizitorët që të bëhen pjesë e kësaj feste shumëvjeçare, e cila tashmë është shndërruar në një nga ngjarjet kulturore më të rëndësishme dhe më të gjalla të vitit në Tuz.

Lajmet e fundit
Related news