Në seancën e fundit të Kuvendit të Malit të Zi, u miratua Propozim-ligji për tatimet mbi pasuritë publike, paraqitur nga deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj. Me këtë ligj, Komuna e Tuzit përjashtohet nga detyrimi për të kthyer rreth 3 milionë euro ndërmarrjes shtetërore “Plantacionet”, duke forcuar pozitën e saj financiare.
Sipas ligjit ekzistues para miratimit të këtij ndryshimi, Komuna e Tuzit ishte e detyruar t’i transferonte këto mjete ndërmarrjes “Plantacionet”. Ligji u mbështet nga 60 deputetë dhe konsiderohet si hap i rëndësishëm drejt autonomisë ekonomike të komunës.
Me këtë vendim, Komuna e Tuzit nuk do të jetë më e detyruar të kthejë fondet e përfituara më parë, çka përforcon më tej autonominë ekonomike të komunës.
Deputeti i Forumit Shqiptarë Nikolle Camaj e cilësoi këtë miratim si një fitore për qytetarët e Tuzit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit politik dhe përkushtimit institucional në arritjen e rezultateve konkrete.
“Njësoj si para dy viteve, kur përmes një tjetër ligji, kemi siguruam rreth 2 milionë euro në vit për Tuzin, edhe sot po tregojmë se angazhimi dhe puna konkrete me shumicën po sjellin përfitime reale për qytetarët. Ky është një hap tjetër drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të trevave tona”, theksoi Camaj.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për shumicën parlamentare për përkrahjen e dhënë dhe e vlerësoi vendimin si një shembull të angazhimit institucional për barazi zhvillimore.