Ministri Dukaj takim me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Ervin Demo: Forcim i bashkëpunimit Shqipëri–Mal i Zi 

0
57

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, u takua në Tiranë me ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, Ervin Demo me të cilin diskutoi mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht në fushën e pushtetit vendor.

Gjatë takimit u vlerësua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira, duke pasur parasysh përgjegjësitë e përbashkëta në funksion të forcimit të qeverisjes vendore dhe ofrimit të shërbimeve më të mira për qytetarët.

Ministri Demo dhe ministri Dukaj diskutuan gjithashtu mbi rrugën europiane të rajonit dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë proces.

Në takim u vlerësua edhe kontributi i shqiptarëve në Malin e Zi në proceset e integrimit europian dhe në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Pushteti vendor është një nga përgjegjësitë që ndajmë dhe një fushë ku kemi shumë hapësirë për të shkëmbyer përvoja e për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve”, u shpreh ministri Demo.

​Shqipëria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e shqiptarëve në Malin e Zi dhe një fqinj dinjitoz në rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit në Bashkimin Europian, tha Dukaj.