Nga Nikollë Gegaj:
Ndërprerja e shfaqjes së filmit „Lejleku“, me regji të Isa Qosjes, në gjuhën shqipe, i transmetuar në ambientë të hapur në kuadër të Festivalit të Filmit „Xhada“, përbën një akt të patolerueshëm të mosdurimit dhe urrejtjes. Megjithatë, një sjellje e tillë anticivilizuese, për fat të keq, paraqet një rrjedhojë logjike të fashizimit klerikal të shoqërisë malazeze gjatë disa viteve të fundit. Mbetet të pyesim se kur do ta njohë pushteti aktual poshtërimin e simboleve shtetërore, gjuhën e urrejtjes ksenofobe, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste kur bëhet fjalë për punonjës publikë, të cilëve, për shkak të shprehjes së mendimit mbi një problematikë të caktuar, u kanoset vazhdimisht, madje edhe me vdekje!
Ne, si popull, gjuha jonë, ashtu edhe kultura në tërësi, jemi pjesë përbërëse e Malit të Zi qytetar, multietnik dhe evropian. Të drejtën për të besuar ende në këto vlera, nuk do të duhej të na e ndalonte askush, qoftë edhe përmes një mesazhi aspak të pafajshëm, siç është ndërprerja e shfaqjes së një filmi në gjuhën shqipe!
Është shqetësuese që kjo ndodh në Malin e Zi multietnik, ku gjuha shqipe, sipas Kushtetutës së Malit të Zi, është në përdorim zyrtar dhe mësohet në shkollat me shumicë shqiptare. Është e padiskutueshme që shumica e 30 gushtit mban përgjegjësi për shpërthimet nacionaliste dhe shoviniste, respektivisht tolerimin e tyre, si dhe për destabilizimin e përgjithshëm të Malit të Zi, i cili është deklaruar si shtet qytetar dhe laik.
Jam i bindur se liria e shprehjes artistike është pjesë përbërëse e lirisë së fjalës dhe një nga vlerat themelore demokratike. Ky ngjarje nuk përfaqëson vetëm një goditje ndaj komunitetit shqiptar, por edhe një goditje ndaj Malit të Zi dhe të gjitha vlerave demokratike të ndërtuara me mund pas zhvillimeve turbulente të viteve ’90.
Për fat të keq, ende nuk ka reagime nga njerëzit më përgjegjës të shtetit. Po çfarë tjetër të presim në një sistem ku shumica qeverisëse falsifikon pa turp historinë, ndërsa kriminelët e luftës i quan pa ndrojtje heronj. Në vend që orientimi i jetës të jenë mesazhet e dashurisë dhe paqes, gjithnjë e më shpesh, në stilin e reality-shou-ve, në skenën publike kemi afirmimin e një sistemi të çrregullt vlerash, ndërsa pothuajse përditë dëgjojmë mesazhe përçarjeje dhe mosdurimi, që edhe kur janë më se të dukshme, sistemi gjyqësor nuk i sheh si nxitje të urrejtjes ndëretnike.
Interesi i politikës së Aleksandar Vuçiqit është që në Mal të Zi të kemi paqëndrueshmëri politike, e cila mbahet e tillë përmes një pushteti marionetë, dhe kështu Mali i Zi nga një lider rajonal mes pretenduesve për anëtarësim në BE, gjithnjë e më shumë shndërrohet në një shoqërues të trishtuar të regjimit autokratik të Vuçiqit, me një perspektivë evropiane gjithnjë e më të pasigurt.