15 C
Tuzi
Tuesday, October 7, 2025

Inspeksioni Komunal i Komunës së Tuzit ndaloi ndërtimin e vaskës së pestë sanitare në deponi

Me kontrollin inspektues të Inspeksionit Komunal të Komunës së Tuzit është konstatuar se kanë filluar punimet tokësore, përkatësisht gërmimet, nivelimi dhe heqja e shtresës sipërfaqësore, për ndërtimin e vaskës së pestë sanitare në deponinë “Livade”, pa pasur leje ndërtimi. Për këtë arsye, inspektorët kanë ndaluar ndërtimin, ka njoftuar për gazetën “Dan” kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.

– Më 19 shtator 2025, Inspeksioni Komunal ka kryer kontroll në lokacionin e deponisë me të cilën menaxhon ndërmarrja “Deponija”. Gjatë kontrollit është konstatuar se kanë filluar punimet tokësore – gërmime, nivelim, heqje e shtresës sipërfaqësore – për ndërtimin e vaskës sanitare nr. 5, pa poseduar leje ndërtimi – tha Gjelaj.

Ai theksoi se në terren janë gjetur makineri ndërtimore.
Në vendngjarje janë hasur dy eskavatorë, ndërsa kantieri nuk ishte i shënuar sipas ligjit, pa tabelë informuese mbi investitorin, zbatuesin dhe lejen. Përgjegjësit nga ndërmarrja “Deponija” kanë deklaruar se nuk posedojnë leje ndërtimi për këto punime. Në bazë të kësaj, inspektori komunal, në përputhje me nenin 138 të Ligjit për ndërtimin e objekteve, ka nxjerrë vendim për ndalimin e punimeve – tha Gjelaj.

Lindon Gjelaj theksoi se Komuna e Tuzit do të parandalojë çdo ndërtim ilegal.
– Komuna e Tuzit edhe në të ardhmen do ta zbatojë me vendosmëri ligjin dhe do të parandalojë çdo ndërtim të paligjshëm në territorin e saj, sidomos kur bëhet fjalë për projekte që mund të kenë ndikim të rëndësishëm në mjedisin jetësor dhe shëndetin e qytetarëve – theksoi Gjelaj.

Lajmet e fundit
Related news