Në Sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” u hap zyrtarisht Pazari i Dimrit, një aktivitet festiv i organizuar nga Komuna e Tuzit. Hapja u bë nga Kryetari i Komunës së Tuzit, z. Lindon Gjelaj, së bashku me fëmijët e Komunës, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe simbolike për fillimin e festave të fundvitit.
Qytetarët e shumtë të pranishëm patën mundësi të shijojnë një mbrëmje festive, e cila u pasurua me performancën energjike të NRG Band, duke sjellë gëzim, ritëm dhe argëtim për të gjitha moshat.
AKTIVITETE DHE PROGRAM FESTIV NË DITËT NË VAZHDIM
Pazari i Dimrit do të vazhdojë të ofrojë një program të pasur dhe të larmishëm gjatë ditëve në vijim. Vizitorët do të kenë mundësi të shijojnë tregun me produkte vendore dhe artizanale, ushqime tradicionale, aktivitete të shumta për fëmijë, programe kulturore, muzikë festive, si dhe shtëpizën e Babagjyshit me surpriza të veçanta për më të vegjlit.
Ky aktivitet synon të promovojë traditat vendase dhe të krijojë një ambient të ngrohtë dimëror, ku familjet dhe qytetarët mund të kalojnë çaste të bukura festive.
PAZARI I DIMIT ZGJAT DERI MË 02 JANAR 2026
Pazari i Dimrit në Tuz do të qëndrojë i hapur nga data 20 dhjetor 2025 deri më 02 janar 2026, duke e shndërruar sheshin qendror të qytetit në një pikë takimi dhe argëtimi për të gjithë qytetarët dhe vizitorët.
PRITJA E VITIT TË RI ME ARTISTË TË NJOHUR
Nata e Vitit të Ri, më 31 dhjetor, do të festohet po në Sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, me një koncert madhështor. Në skenë do të performojnë Xhensila Myrtezaj, Ledri Vula dhe Eliza Markiq, të cilët do të sjellin hitet e tyre dhe një atmosferë festive, duke garantuar një ndërrim vitesh plot energji dhe emocione.
Komuna e Tuzit fton të gjithë qytetarët dhe vizitorët që t’i bashkohen festimeve dhe të bëhen pjesë e Pazari të Dimrit, një ngjarje që bashkon traditën, kulturën dhe argëtimin në zemër të Tuzit.