Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka deklaruar nga Brukseli se këto ditë po shkruhet historia e Malit të Zi, duke theksuar rëndësinë e hapave të fundit në procesin e integrimit evropian.
“Sot kemi bërë një hap të madh në procesin e anëtarësimit, përkatësisht në përmbushjen e obligimeve që si shtet i kemi marrë përsipër në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Jo vetëm në anëtarësim, por edhe në krijimin e kushteve dhe standardeve më të mira për qytetarët tanë. Lirisht mund t’u them qytetarëve tanë nga Brukseli: gëzohuni. Jemi më afër Evropës, Brukseli është më afër Podgoricës. Vazhdojmë të punojmë”, tha Gjeloshaj.
Ai shtoi se optimizmi i shprehur në fillim të mandatit të kësaj qeverie tashmë po shndërrohet në rezultate konkrete.
“Kemi rezultate dhe do të vazhdojmë përpara. I ftojmë të gjithë, edhe në Kuvend, sektorin e OJQ-ve dhe gjithë qytetarët, që të jenë mbështetje e këtij procesi, sepse ky është një proces që duhet ta përfundojmë të gjithë së bashku. Kemi plane të mëdha për vitin e ardhshëm dhe besojmë se do t’ia dalim, sepse duam dhe jemi të gatshëm të punojmë”, theksoi Gjeloshaj.