13.9 C
Tuzi
Wednesday, January 7, 2026

Gjelaj: Realizuam mbi 95% të buxhetit – 2026 me projekte të rëndësishme zhvillimore

Të nderuar bashkëqytetarë,
E nderuara diasporë,

Teksa po i afrohemi përmbylljes së vitit dhe hapjes së një kapitulli të ri, ndiej përgjegjësi dhe kënaqësi të veçantë t’ju drejtohem për të ndarë me ju jo vetëm urimet për Vitin e Ri, por edhe një pasqyrë të punës sonë të përbashkët dhe vizionit që na pret përpara.
Viti që po lëmë pas ka qenë një vit pune intensive dhe rezultate konkrete. Realizimi i 95,65% të buxhetit të planifikuar për vitin 2025 është dëshmi e menaxhimit të përgjegjshëm, e përkushtimit institucional dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm në shërbim të zhvillimit të Malësisë.

Gjatë këtij viti kemi arritur të realizojmë një sërë projektesh me rëndësi të drejtpërdrejtë për jetën e përditshme të qytetarëve. Investimet në infrastrukturën rrugore kanë përmirësuar lidhjen ndërmjet vendbanimeve dhe kanë rritur sigurinë në komunikacion. Po ashtu, janë realizuar projekte të rëndësishme në fushën e furnizimit me ujë, duke përmirësuar kushtet bazë të jetesës për furnizimin me ujë për qytetarët.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe brezave më të rinj, përmes ndërtimit dhe rregullimit të parqeve për fëmijë, si hapësira të sigurta për lojë, socializim dhe zhvillim. Përveç këtyre, gjatë vitit 2025 janë realizuar investime në çdo segment shoqëror të komunës sonë, si sporti, kultura, mbrojtja sociale dhe shërbimet publike.

Duke parë përpara, viti 2026 na gjen me buxhetin më të madh që Komuna e Tuzit ka pasur ndonjëherë, me vlerë prej 12.895.072,00 euro. Ky buxhet dëshmon angazhimin konkret për investime në projekte të rëndësishme, të cilat do të kenë ndikim të madh në zhvillimin e Malësisë dhe përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët tanë.

Siç ka thënë presidenti amerikan John F. Kennedy:
“Mos pyetni çfarë mund të bëjë vendi juaj për ju, por çfarë mund të bëni ju për vendin tuaj.”
Kjo thënie mbetet aktuale edhe sot, si një thirrje për përgjegjësi qytetare dhe angazhim për zhvillimin e vendit tonë.

Me këtë rast, dëshiroj të shpreh falënderim ndaj ministrave, deputetëve dhe këshilltarëve të Forumit Shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e tyre ndaj Komunës së Tuzit.
Po ashtu, shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj kolegëve dhe të punësuarve në Komunën e Tuzit. Puna e tyre e përditshme, shpesh larg vëmendjes publike, është baza mbi të cilën ndërtohen rezultatet dhe sukseset tona të përbashkëta.

Me urimin që Viti i Ri të sjellë shëndet, paqe dhe përparim për secilin prej jush, ju ftoj që vitin 2026 ta nisim me besim, energji pozitive dhe gatishmëri për të dhënë më të mirën nga vetja për Malësinë tonë.

Me respekt,
Lindon Gjelaj
Kryetar i Komunës së Tuzit

Lajmet e fundit
Related news