15 C
Tuzi
Tuesday, October 7, 2025

Gjelaj mesazh drejtuesve të Deponisë: Kallëzime penale nëse nuk heqin dorë nga ndërtimi i kadave sanitare

Nëse vazhdohet me injorimin e ligjit dhe me përpjekjet që pa pëlqimin e Komunës së Tuzit të ndërtohet dhe zgjerohet Deponia, do të fillojmë të gjitha procedurat ligjore, përfshirë edhe paraqitjen e kallëzimeve penale kundër personave përgjegjës – ka deklaruar për “Dan” kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj.

Reagimi i tij erdhi pasi që Aleksandar Bozhoviq, drejtori i Deponisë, tha se nuk duhet lejuar bllokimin e deponisë sepse do të vinte deri te përhapja e infeksioneve. Gjelaj porositi se çdo ndërtim i kadave të reja sanitare pa pëlqimin e Komunës së Tuzit është vepër penale.

– Nëse shkatërrimi i hapësirës nuk ndalet menjëherë, do të jemi të detyruar të kërkojmë përfshirjen e institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare, sepse shëndeti i qytetarëve tanë dhe mbrojtja e territorit tonë nuk kanë çmim. Nëse dikush mendon se, jashtë ligjit dhe jashtë vullnetit të qytetarëve, Tuzin do ta kthejë në oborr për mbeturinat e të tjerëve, le ta dijë se do të përballet me një përgjigje të vendosur, të qartë dhe të palëkundur nga Komuna e Tuzit dhe qytetarët e saj. Ne do ta mbrojmë komunën tonë me të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore, pa kompromis. Tuzi është komunë e jetës së denjë, e jo viktimë e papërgjegjësisë së të tjerëve – thekson Gjelaj.

Gjelaj thotë se drejtori i Deponisë, Aleksandar Bozhoviq, po përpiqet t’i mashtrojë qytetarët që po protestojnë.

– Drejtori i Deponisë, Aleksandar Bozhoviq, në vend që të procedohet dhe të japë llogari para organeve shtetërore për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm, lejon vetes që publikisht t’i mashtrojë qytetarët, duke përhapur të pavërteta. Ai madje është përpjekur t’i gënjejë qytetarët që po protestojnë, duke pretenduar se posedon leje nga Komuna e Tuzit, gjë që është plotësisht e pavërtetë dhe e papranueshme. Gjithë kaosi dhe problemi i krijuar rreth deponisë rrjedh nga veprimet e paligjshme të vetë Bozhoviqit, i cili pa leje ndërtimi ka shpallur tender dhe përpiqet me forcë, jashtë ligjit, të ndërtojë kadën sanitare. Ajo që ai paraqet para opinionit si “projekt shtetëror” dhe “investim ekologjik” në thelb është një vepër klasike penale. Ne shtrojmë hapur pyetjen – Pse organet shtetërore nuk reagojnë? Pse lejojnë që një drejtor i një ndërmarrjeje publike të ndërtojë pa leje e të mos ndëshkohet? A do të thotë kjo se për institucionet ligjet nuk vlejnë kur paligjshmëritë ndodhin në territorin ku jetojnë pakicat? – tha Gjelaj.

Gjelaj përsëriti se Deponia “Livade” ndodhet në territorin e Komunës së Tuzit dhe çdo veprim që rrezikon banorët e Tuzit, shëndetin e tyre dhe mjedisin jetësor, paraqet sulm të drejtpërdrejtë ndaj komunitetit të tyre.

Lajmet e fundit
Related news