Kam kënaqësinë të njoftoj opinionin publik se Kuvendi i Malit të Zi ka miratuar njëzëri ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për tatimin mbi pasuritë e paluajtshme.
Me këtë vendim është shfuqizuar ligji i miratuar më 30 dhjetor 2021, i cili kishte vetëm një qëllim, të dobësonte financiarisht dhe të pengonte zhvillimin e Komunës së Tuzit.
Shpreh mirënjohje të sinqertë për të gjithë deputetët që kanë njohur këtë padrejtësi dhe kanë mbështetur ndryshimet me të cilat ndalet dëmi politikisht i motivuar ndaj Komunës së Tuzit, pas së cilit qëndronte Nebojša Vuksanović me bashkëpunëtorët e tij.
Tentativa për të goditur komunën tonë është ndalur, ndërsa ne vazhdojmë të udhëheqim një politikë të përgjegjshme dhe konstruktive, të orientuar drejt zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve tanë.
Në bashkëpunim me menaxhmentin e ri të kompanisë “Plantaže”, do të punojmë për të gjetur një zgjidhje që do të sjellë përfitim të ndërsjellë. Komuna e Tuzit do të ofrojë mbështetje që “Plantaže” të bëhet një kompani e qëndrueshme dhe e suksesshme, por jo në dëm të interesave të qytetarëve të Tuzit.
Mbështetja e njëzëshme në Kuvend dëshmon pjekurinë politike dhe gatishmërinë për dialog të të gjitha partive parlamentare, me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe parandalimin e konflikteve që do të kishin pasoja më të gjera.
Komuna e Tuzit mbetet në rrugën e qartë të zhvillimit, dhe kjo padrejtësi është korrigjuar me këto ndryshime.
Edhe një herë, shpreh mirënjohje të sinqertë për të gjithë deputetët që kanë mbështetur këtë nismë të rëndësishme, veçanërisht për deputetët e Forumit Shqiptar për përkushtimin dhe iniciativën e tyre.
Kryetari i Komunës së Tuzit
Lindon Gjelaj