23.9 C
Tuzi
Wednesday, September 17, 2025

Gjelaj: Dhuna ndaj Malësisë nuk do të kalojë

Të nderuar qytetarë,

Si Kryetar i Komunës së Tuzit dua t’i rikujtoj opinionit publik dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse se, me anë të Vendimit për rregullimin e përkohshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kryeqytetit dhe Komunës së Tuzit, deri në shpërndarjen përfundimtare të pasurisë për krijimin e kushteve të funksionimit të Komunës së Tuzit, të miratuar nga Kuvendi i Komunës në dhjetor të vitit 2021, në nenin 7 përcaktohet qartë se:
• Pasuritë e paluajtshme të përfshira në projektin urbanistik „Deponia sanitare me qendër riciklimi“ ndodhen në territorin e Tuzit.
• Këtyre pasurive, deri në shpërndarjen përfundimtare të pronës, u menaxhon përkohësisht sh.p.k. Deponia Podgoricë.
• Ky menaxhim i përkohshëm nuk i jep të drejtë askujt të ndërtojë apo të veprojë pa pëlqimin dhe lejen e Komunës së Tuzit.

Pra, sipas këtij neni, sh.p.k. Deponia është vetëm përdoruese e përkohshme – gjë që vetë e ka nënshkruar – dhe kjo nënkupton qartë se prona është e Tuzit.

Gjithashtu, shërbimet e deponimit të mbeturinave për Komunën e Tuzit kryhen pa pagesë deri në momentin kur prona do të kalojë në posedim të komunës sonë. Ky është obligim ligjor dhe nuk mund të anashkalohet.
Prandaj, dua të sqaroj se Komuna e Tuzit nuk ka falur, e as ka shitur asnjë pëllëmbë tokë, siç po manipulohet nga ata që deponinë e kanë sjellë në Malësi.

Kujtoj gjithashtu se Kuvendi i Komunës së Tuzit e ka shfuqizuar projektin urbanistik për lokacionin e deponisë „Livade“, gjë që do të thotë se vetëm Komuna e Tuzit është kompetente për dhënien e kushteve urbanistiko-teknike dhe të lejeve të ndërtimit në këtë territor.

Komuna e Tuzit nuk ka lëshuar dhe as nuk do të lëshojë kushte urbanistiko-teknike apo leje ndërtimi për të ashtuquajturën „kada sanitare 5“ në lokacionin e deponisë „Livade“. Çdo ndërtim i kryer pa lejen e komunës sonë përbën uzurpim të paligjshëm dhe të dhunshëm të territorit, dhe objekte të tilla do të hiqen menjëherë.

Punimet e paligjshme në Komunën e Tuzit nuk do të tolerohen. Çdo aktivitet i tillë do të parandalohet dhe sanksionohet.
Ligji do të zbatohet deri në fund, pa asnjë kompromis dhe pa përjashtim.

Askush nuk do të lejohet të imponojë zgjidhje me forcë, e as të rrezikojë shëndetin dhe dinjitetin e qytetarëve tanë.

Dhuna ndaj Malësisë nuk do të kalojë.

P.S. Komuna e Tuzit punon me transparencë dhe të gjitha vendimet janë të publikuara në faqen zyrtare të internetit: www.tuzi.org.me.

     Lindon Gjelaj
     Kryetar i Komunës së Tuzit
Lajmet e fundit
Related news