Ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, u prit sot në takim nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Dukaj bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe për rolin e faktorit shqiptar si urë lidhëse, faktor stabiliteti dhe kontribuues në proceset evropiane të rajonit.
“Sot pata nderin të pritem në një takim nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqësia e Tij, Bajram Begaj”, u shpreh Dukaj, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme dhe angazhimin e përbashkët për perspektivën evropiane.
Nga ana tjetër, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e rolit të shqiptarëve në Malin e Zi, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.
“Është gjithmonë kënaqësi të takohem me përfaqësues shqiptarë në Malin e Zi”, deklaroi Begaj, duke vlerësuar shqiptarët në Mal të Zi si faktor konstruktiv dhe europianist dhe si kontribues në proceset integruese të vendit.
Begaj gjithashtu theksoi se shqiptarët në Malin e Zi përbëjnë një urë të fortë miqësie dhe lidhjeje mes dy vendeve.
