15.9 C
Tuzi
Sunday, May 25, 2025

Dukaj prezanton Konceptin e Ligjit për Zgjedhjet Lokale: Zgjedhjet në një ditë, lista të hapura dhe zgjedhje të drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave

Lista zgjedhore të hapura, si dhe mbajtja e të gjitha zgjedhjeve lokale në një ditë, janë parashikuar, ndër të tjera, në Konceptin e Ligjit për Zgjedhjet Lokale që u prezantua sot në Podgoricë.

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, deklaroi se Koncepti i Ligjit është përgatitur nga një ekip ekspertësh dhe është dërguar në Këshillin për Reformën Zgjedhore të Kuvendit të Malit të Zi.

Në konferencën për shtyp ku u prezantua ky koncept, Dukaj tha se dokumenti është i ndarë në gjashtë kapituj.

Kapitulli i parë parashikon mbajtjen e të gjitha zgjedhjeve lokale në një ditë.

Dukaj theksoi se Mali i Zi është i vetmi shtet në rajon dhe në Evropë që organizon shtatë, tetë apo edhe më shumë procese zgjedhore gjatë një viti.

Kapitulli i dytë parashikon futjen e listave zgjedhore të hapura, kapitulli i tretë zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarëve të komunave dhe të kryebashkiakve, ndërsa kapitulli i katërt zgjedhjen e drejtpërdrejtë të këshillave të bashkësive lokale.

Ai shtoi se kapitulli i pestë trajton depolitizimin e procesit zgjedhor, ndërsa kapitulli i gjashtë përcakton në mënyrë të qartë dhe të saktë marrëdhëniet ndërmjet Komisionit Zgjedhor Shtetëror dhe komisioneve zgjedhore komunale.

“Çdo zgjidhje është përpunuar në mënyrë të detajuar, duke u siguruar përputhshmëria me standardet evropiane”, tha Dukaj.

Ai theksoi se një reformë e tillë përbën bazën për një sistem zgjedhor më gjithëpërfshirës.

“Jam i bindur se shumica e komunave mbështesin drejtimin e kësaj reforme zgjedhore, dhe më është shumë e rëndësishme që me këtë reformë t’i japim fund manipulimeve dhe krizave”, shtoi Dukaj.

Ai shprehu bindjen se hapat e ardhshëm do të jenë efikasë dhe se Mali i Zi, që nga viti i ardhshëm, do të ketë zgjedhje lokale më të mira.

Dukaj falënderoi anëtarët e ekipit punues që investuan kohë dhe njohuri për të përgatitur këtë koncept në një periudhë të shkurtër kohore.

Ai nënvizoi se koncepti i ligjit për zgjedhjet lokale përfaqëson një hap përpara në reformat zgjedhore, duke ofruar një zgjidhje sistematike.

“Qëllimi i Ministrisë së Administratës Publike dhe i këtij ekipi është i pastër dhe i pa ngarkuar me interesa politike – të japim një kontribut konkret në hartimin dhe zbatimin e reformës zgjedhore”, deklaroi Dukaj.

Ai përsëriti se reforma zgjedhore është thelbësore për rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian.

“Besoj se kemi bërë një hap të madh përpara, se para Komitetit ndodhen zgjidhje cilësore dhe se ekzistojnë të gjitha parakushtet për arritjen e objektivave për të cilat është themeluar”, shtoi Dukaj, duke shtuar se Ministria e Administratës Publike është në dispozicion për çdo ndihmë institucionale dhe ekspertize të mëtejshme.

Ai theksoi gjithashtu se vetëqeverisja lokale është niveli i pushtetit më pranë qytetarëve.

Sipas Dukajt, koncepti i propozuar krijon një kuadër të veçantë ligjor për zgjedhjet lokale, i ndarë nga rregulloret që rregullojnë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

I pyetur nëse pret mbështetje politike për këtë ligj, Dukaj tha se Ministria ka përmbushur detyrimet e saj dhe u bëri thirrje të gjithëve të kuptojnë rëndësinë që ka reforma zgjedhore për shoqërinë dhe shtetin e Malit të Zi.

Lajmet e fundit
Related news