26.9 C
Tuzi
Tuesday, April 30, 2024

Dukaj: Po punohet për përdorimin e plotë të shërbimit PayPal në Mal të Zi

Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj ka bërë të ditur për CdM se po punohet në planin për përdorimin e PayPal në Mal të Zi dhe se po ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm. 

Ai sqaron se negociatat janë në vazhdim e sipër, por po ashtu thekson se edhe Ambasada Amerikane po ofron mbështetje për të gjithë procesin. 

Ai nënvizon se negociatat po zhvillohen në bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut, me të cilën Qeveria e Malit të Zi nënshkroi Marrëveshjen në korrik të vitit 2023 në fushën e digjitalizimit, përfshirë pagesën elektronike, në mënyrë që sinergjia e përbashkët e këtyre dy vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mundësojë përdorimin e plotë të shërbimit PayPal. 

“Ekipi negociues njohu barrierat e mundshme të biznesit dhe në atë drejtim e referoi iniciativën në Ministrinë e Financave për ndryshime në Ligjin për Parandalimin e Biznesit të Paligjshëm në mënyrë që të hapet hapësira për futjen e ofruesve të rinj të shërbimeve të pagesave në Mal të Zi. Ministria e Financave e kuptoi rëndësinë e kësaj teme dhe e pranoi iniciativën dhe në periudhën e ardhshme me ndryshimet në ligj do të hiqen barrierat e biznesit”, tha ministri. 

Dukaj shpjegon se ekipi negociues, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Mal të Zi dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, po bën përpjekje për të marrë përgjigje nga PayPal se çfarë duhet të bëjnë këto dy vende në mënyrë që shërbimi i marrjes/dërgimit të parave të funksionojë plotësisht. 

“Gjithashtu, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal po ndërmerr aktivitete në nivel rajonal, duke përfshirë Malin e Zi dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që shërbimi të jetë plotësisht funksional në ato vende të rajonit ku nuk është kështu”, tha Dukaj në një deklaratë për CdM.

Lajmet e fundit
Related news