19.2 C
Tuzi
Wednesday, June 3, 2026

Dukaj nga Parisi: Siguria kibernetike e Ballkanit Perëndimor është forcë për Evropën

Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, deklaroi në Samitin Kibernetik të Parisit 2026 se qëndrueshmëria kibernetike e Ballkanit Perëndimor është një çështje thelbësore për sigurinë e të gjithë Evropës.

Ministri Dukaj, mbajti fjalimin kryesor në samit, duke iu drejtuar nga podiumi qendror vendimmarrësve, ekspertëve dhe liderëve të fushës së sigurisë kibernetike nga e gjithë bota.

Duke folur në një ngjarje ndërkombëtare që mblodhi përfaqësues të qeverive, organizatave dhe ekspertëve të sigurisë kibernetike, Dukaj theksoi se kërcënimet digjitale nuk njohin kufij dhe se asnjë shtet nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat e epokës digjitale.

Ai rikujtoi sulmin e madh kibernetik ndaj institucioneve të Malit të Zi në vitin 2022, duke e cilësuar si moment kyç që përshpejtoi reformat dhe forcimin e sistemit të sigurisë kibernetike në vend.

Ministri nënvizoi se Mali i Zi ka miratuar legjislacion të ri të harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian, ka forcuar institucionet përgjegjëse për sigurinë digjitale dhe po punon për krijimin e një agjencie të posaçme për mbrojtjen kibernetike.

Gjithashtu, ai vuri theks të veçantë te bashkëpunimi rajonal, duke përmendur Qendrën për Kapacitete Kibernetike të Ballkanit Perëndimor në Podgoricë si një projekt të rëndësishëm për zhvillimin e aftësive dhe rritjen e rezistencës ndaj sulmeve kibernetike.

Në fund, Dukaj theksoi se forcimi i kapaciteteve kibernetike në rajon është investim për stabilitetin dhe sigurinë evropiane, duke përsëritur se një Evropë e sigurt nuk mund të ekzistojë pa një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm në hapësirën digjitale.

Lajmet e fundit
Related news