Në kuadër të vizitës në Bosnje dhe Hercegovinë, ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, z. Marash Dukaj, u takua me ministrin e Drejtësisë të Bosnjës dhe Hercegovinës, Davor Bunoza, me të cilin bisedoi për reformën e administratës publike, integrimet evropiane dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se një administratë publike profesionale, efikase dhe e orientuar ndaj qytetarëve përbën një nga parakushtet kryesore për një proces të suksesshëm të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucione.
Ministri Dukaj theksoi se Mali i Zi e konsideron reformën e administratës publike si një nga prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë dhe një nga parakushtet kyçe për mbylljen me sukses të kapitujve negociues.
“Integrimet evropiane nuk varen vetëm nga miratimi i legjislacionit, por edhe nga aftësia e institucioneve për ta zbatuar atë në mënyrë të qëndrueshme dhe në interes të qytetarëve. Prandaj, ne po ndërtojmë një administratë publike të bazuar në profesionalizëm, përgjegjësi dhe rezultate.”
Gjatë ditës ministri dukaj u takua edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, me të cilin bisedoi për avancimin e bashkëpunimit rajonal, transformimin digjital dhe nismat e përbashkëta që kontribuojnë në integrimet evropiane të Ballkanit Perëndimor.