27.9 C
Tuzi
Thursday, July 17, 2025

Dukaj në vizitë pune në Danillovgrad: Reforma e vetëqeverisjes lokale, thelbësore për proceset demokratike

Reforma e vetëqeverisjes lokale është me rëndësi thelbësore për proceset demokratike, veçanërisht nga aspekti i sistemit zgjedhor, decentralizimit dhe digjitalizimit, ka theksuar ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, gjatë një vizite pune në Komunën e Danillovgradit.

Siç është bërë e ditur nga Ministria e Administratës Publike (MAP), Dukaj, në takimin me kryetarin e Komunës së Danillovgradit, Aleksandar Grgurović dhe bashkëpunëtorët e tij, ka ndarë vizionin e MAP për një vetëqeverisje lokale të fuqizuar, të gatshme të marrë vendime mbi fatin e saj në mënyrë të pavarur.

Dukaj u tha përfaqësuesve të udhëheqjes komunale se ai dhe Ministria që drejton janë të gatshëm të ofrojnë çdo lloj mbështetjeje, si dhe të shërbejnë si urë bashkëpunimi me ministritë e tjera.

“Reforma e vetëqeverisjes lokale është me rëndësi thelbësore për proceset demokratike, veçanërisht në aspektin e sistemit zgjedhor, decentralizimit dhe digjitalizimit,” theksoi Dukaj.

Sipas tij, këto janë fusha që do të kontribuojnë në përmirësimin e ambientit të përgjithshëm shoqëror dhe kushteve të jetesës së qytetarëve të Malit të Zi.

Grgurović, siç është bërë e ditur, i ka njohur përfaqësuesit e MAP me përparimet e rëndësishme që ka bërë pushteti aktual lokal në fushën e vetëqeverisjes lokale, veçanërisht në aspektin e revitalizimit të institucioneve të bashkësive lokale dhe bashkëpunimit të shkëlqyer që Komuna ka me to, digjitalizimit të disa proceseve dhe transparencës në punën e saj.

Ai theksoi se Komuna e Danillovgradit, në rrugën e forcimit të vetëqeverisjes lokale, do të jetë gjithmonë një partner i besueshëm për MAP, i gatshëm për bashkëpunim.

Nga MAP kanë bërë të ditur se Dukaj ka vizituar Koloninë Artistike në Danillovgrad, ku ka pasur mundësinë të njihet me historikun e institucionit me rëndësi të veçantë kulturore për Malin e Zi dhe të shohë ekspozitën me titull “7”.

“Vazhdojmë në mënyrë të vazhdueshme të punojmë në thellimin e bashkëpunimit dhe në zgjidhjen e sfidave që pengojnë punën e vetëqeverisjes lokale,” përfundoi Dukaj.

Lajmet e fundit
Related news