11.9 C
Tuzi
Sunday, December 7, 2025

Dukaj në Bruksel: Profesionalizimi i stafit, digjitalizimi dhe siguria kibernetike në fokus

Modernizimi i administratës publike është një nga elementët e rëndësishëm për përshpejtimin e reformave evropiane, tha ministri i administratës publike, Marash Dukaj, pas vizitës dyditore në Bruksel.

“Fokus i vizitës ishte profesionalizimi i stafit, infrastruktura digjitale dhe forcimi i sigurisë kibernetike, fusha që janë thelbësore për përparimin më të shpejtë të Malit të Zi, duke përmbushur njëkohësisht objektivat e axhendës së reformave,” tha ministri Dukaj.

Ai shtoi se gjatë takimeve me partnerët evropianë diskutoi për modele që mund të përmirësojnë menjëherë proceset e punësimit, shërbimet digjitale për qytetarët dhe mënyrën se si administrohen institucionet.

“Një theks i veçantë u vu në zhvillimin e aftësive të zyrtarëve dhe adoptimin e teknologjive që do të jenë baza e një administrate moderne dhe efikase. Qëllimi është i qartë: që administrata shtetërore e Malit të Zi të jetë plotësisht e përgatitur për anëtarësim në BE,” tha Dukaj.

Gjatë vizitës në Bruksel, ministri Dukaj u takua, ndër të tjerët, me drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për Zgjerim të KE-së, Gert Jan Kopman, si dhe me asistentin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për inovacion, kërcënime hibride dhe siguri kibernetike, Jean-Charles Elerman-Kingombe.

“Në NATO konfirmuam rezultatet e mira në fushën e sigurisë kibernetike dhe dakorduam hapa konkretë për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve tona. Jashtë axhendës formale, me bashkëbiseduesit e respektuar u përshëndet vendimi i Qeverisë së Malit të Zi për të zgjedhur drejtorin e përkohshëm dhe organet e agjencisë për sigurinë kibernetike,” theksoi Dukaj.

Ai vlerësoi se vizita tregoi se Mali i Zi ka mbështetje të fortë nga partnerët evropianë dhe të NATO-s dhe se puna dhe përparimi në Malin e Zi njihen dhe vlerësohen.

“Kjo na obligon të vazhdojmë edhe më vendosmërisht dhe me ritëm të shpejtë. Raporti i shpejtë i Komisionit Evropian, që përmban vlerësimet më të mira për Ministrinë e Administratës Publike ndonjëherë, është vetëm një nxitje dhe thirrje për përkushtim, jo një arsye për të pushuar. Detyra dhe qëllimi i Ministrisë së Administratës Publike është e ardhmja evropiane përmes vlerave të adoptuara dhe rezultateve të matshme,” përfundoi Dukaj.

Lajmet e fundit
Related news