19.9 C
Tuzi
Tuesday, April 14, 2026

Dukaj: Diaspora nuk duhet të kufizohet te vota, por të ketë përfaqësim real në vendimmarrje

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, deklaroi në Samitin IV të Diasporës se përfshirja e diasporës në proceset demokratike nuk mund të kufizohet vetëm te vota, por duhet të shtrihet drejt përfaqësimit real institucional dhe politik.

Në fjalën e tij në panelin “Diaspora dhe demokracia përfaqësuese në hapësirën shqiptare: nga vota te përfaqësimi institucional”, Dukaj theksoi se momenti aktual kërkon politika konkrete dhe jo vetëm simbolikë.

“Është një moment shumë i veçantë kur flasim për diasporën, sepse nuk mund të lidhemi vetëm me simbolikën, por duhet të lidhemi me politikë konkrete, ngaqë është thelbësore për demokracinë tonë”, u shpreh ai.

Dukaj vlerësoi politikat shqiptare për diasporën, duke theksuar se e drejta e votës është një hap i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm.

“Unë përshëndes atë që ka bërë dhe po bën politika shqiptare për diasporën. Vota natyrisht që është një nga veçoritë kryesore, por për mendimin tim kjo nuk mjafton”, tha ai.

Sipas tij, vota garanton pjesëmarrjen, por jo domosdoshmërisht përfaqësimin e plotë në vendimmarrje.

“Vota është themelore, por nuk mjafton, ajo e garanton pjesëmarrjen, por jo domosdoshmërisht përfaqësimin. Nëse ndalemi tek vota, krijojmë lidhje minimale, ndërsa demokracia kërkon një raport të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm midis diasporës dhe institucioneve”, theksoi Dukaj.

Ai shtoi se përvoja e shqiptarëve në Malin e Zi tregon se përfaqësimi nuk duhet të pritet vetëm nga sistemi, por duhet ndërtuar përmes angazhimit aktiv dhe organizimit politik.

“Sfida jonë sot nuk është vetëm të garantojmë pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhje, por të ndërtojmë mekanizma që e bëjnë atë pjesë të vendimmarrjes”, u shpreh ai.

Dukaj vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin rajonal dhe rolin e institucioneve shqiptare në forcimin e koordinimit me diasporën.

“Bashkëpunimi me Shqipërinë dhe roli i kryeministrit Edi Rama na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë në krijimin e një hapësire të gjerë në koordinimin dhe mbështetjen për shqiptarët në rajon”, tha ai.

Ai nënvizoi se integrimi europian e bën edhe më të domosdoshëm kalimin nga pjesëmarrja simbolike drejt përfaqësimit efektiv.

“Nëse e shohim në kontekstin e integrimit evropian, bëhet edhe më e qartë se kjo nuk është vetëm një zgjidhje politike, por një domosdoshmëri. Procesi i integrimit nuk ka të bëjë vetëm me përfaqësimin e ligjeve, por me ndërtimin e një demokracie funksionale që përfaqëson qytetarët kudo që ndodhen”, theksoi Dukaj.

Në përfundim, ai u shpreh se diaspora nuk duhet parë si element shtesë, por si pjesë e pandashme e sistemit demokratik.

“Në këtë kuptim, diaspora nuk është një element shtesë i këtij procesi, por një pjesë e rëndësishme e pandashme e tij”, deklaroi ai.

Lajmet e fundit
Related news