Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për shënimin e Ditës së Evropës, Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, priti në takim zëvendëskryeministrin në Qeverinë e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ministren për Çështjet Evropiane, Majda Gorçević, drejtoreshën e Drejtorisë për Informimin e Publikut për BE-në dhe Procesin e Anëtarësimit në BE, Gordana Despotoviq Gjekiq, si dhe drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për Bashkëpunim Territorial Evropian në Ministrinë e Çështjeve Evropiane, Milosh Markoviq.
Në takim morën pjesë edhe Kryetari i Kuvendit, Fadil Kajoshaj, si dhe sekretari i Sekretariatit për Zhvillim dhe Projekte, Emin Haxhi.
Gjatë takimit u diskutua për procesin e integrimit evropian të Malit të Zi dhe rolin e komunave në këtë proces, me theks të veçantë në mundësitë për përfitim nga fondet e Bashkimit Evropian dhe realizimin e projekteve zhvillimore në Komunën e Tuzit.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit institucional ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, si parakusht për përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin ekonomik lokal dhe rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët.