6.9 C
Tuzi
Wednesday, February 25, 2026

Demarkacioni mes Tuzit dhe Podgoricës kalon në arbitrazh

Komuna e Tuzit dhe Podgorica do të përcaktojnë kufijtë përmes arbitrazhit, pasi nuk është arritur marrëveshje për ndarjen e territorit dhe pasurisë.

Që çështja të shkojë në arbitrazh është rënë dakord në mbledhjen e fundit të Komisionit për Përcaktimin e Kufijve, ku – siç ka deklaruar Naim Gjokaj, kryetar i këtij trupi – “pika e pëngesës” ka qenë Deponia. Procesi i përcaktimit të kufijve zgjat prej shtatë vitesh.

– Ky proces është i ndarë në dy pjesë: territori dhe pasuria. Përfaqësuesit e Kryeqytetit kishin vërejtje, si edhe më parë, lidhur me disa pika territoriale. Më së shumti kontestohet territori që aktualisht funksionon nën Komunën e Tuzit, konkretisht zona pranë Deponisë “Livade”. Ata propozuan që kjo pjesë t’i takojë Podgoricës, gjë që nuk u pranua nga përfaqësuesit e Komunës së Tuzit. Kjo u bë menjëherë pengesë për bisedimet dhe e pashë se nuk kishte marrëveshje, ndaj propozova që e gjithë çështja t’i besohet komisionit të arbitrazhit. Nuk u përmendën as Korita dhe as Shtëpit Rakiq, sepse pengesa e parë ishte Deponia, çka nënkuptonte se nuk mund të arrihej marrëveshje. Ndarja e pasurisë nuk u diskutua – tha Gjokaj.

Ai sqaroi se komisioni i arbitrazhit do të përbëhet nga numër i barabartë anëtarësh nga Kryeqyteti dhe Komuna e Tuzit, përfaqësues të Qeverisë dhe një ekspert i fushës së së drejtës pronësore, i cili do të jetë kryetar i këtij organi.

– Mënyra e mëtejshme e punës dhe e vendimmarrjes do të rregullohet me aktin që do ta miratojë komisioni i arbitrazhit. Nuk ekziston afat ligjor brenda të cilit duhet të përfundojë arbitrazhi, por përmes vendimit për themelimin e komisionit do të përcaktojmë që afati të jetë sa më i shkurtër. Në proceset e deritanishme të arbitrazhit, afati ka qenë deri në 60 ditë – tha Gjokaj.

Lajmet e fundit
Related news