11.9 C
Tuzi
Sunday, December 7, 2025

Camaj takim me ambasadorët e BE-së dhe OSBE-së: Sattler dhe Haukaas vlerësojnë rolin e Kuvendit në reformat drejt BE-së

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, u takua me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johann Sattler, dhe me shefin e Misionit të OSBE-së në Mal të Zi, Jan Haukaas.

Nënkryetari Camaj së pari u shprehu falënderime ambasadorëve që pranuan ftesën në këtë moment, siç tha ai, jashtëzakonisht të rëndësishëm për Malin e Zi.

Ai kujtoi se edhe pas Raportit pozitiv të Komisionit Evropian, Kuvendi i Malit të Zi ka vazhduar me ritëm të mirë dhe se shumica parlamentare po bën gjithçka që Mali i Zi të vazhdojë të ecë me sukses drejt vendit që i takon në familjen evropiane. “Kam thënë disa herë, e tani do ta përsëris edhe para jush, se mendoj se BE-ja i duhet Malit të Zi, por po ashtu edhe Mali i Zi i duhet BE-së”, përfundoi Camaj.

Ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Johann Sattler, gjithashtu shprehu mirënjohjen ndaj nënkryetarit Camaj për iniciativën për bisedë, duke veçuar qasjen e tij konstruktive dhe kontributin që, siç tha ai, jep si përfaqësues i një populli më pak të numërt.

“Rezultatet që po i dorëzon parlamenti në kuadër të përmbushjes së pritshmërive në procesin e anëtarësimit në BE janë të dukshme”, tha Sattler. Ai gjithashtu theksoi se Bashkimi Evropian pret që Kuvendi në periudhën e ardhshme të përqendrohet në çështje themelore të sundimit të ligjit, si reformat e mëtejshme zgjedhore, miratimin e ligjeve evropiane dhe emërimet në institucionet kyçe të pavarura.

Ambasadori Jan Haukaas kujtoi se Mali i Zi është anëtar i barabartë i OSBE-së prej gati njëzet vitesh dhe se OSBE-ja dhe Kuvendi po bashkëpunojnë me sukses po aq gjatë. Haukaas tha se Misioni është i gatshëm të shqyrtojë kërkesat e mëtejshme për mbështetjen e reformave zgjedhore në Mal të Zi, në koordinim me institucionet relevante eksperte të OSBE-së.

“Nuk ka standarde të dakorduara ndërkombëtarisht kur bëhet fjalë për sistemet politike, përfshirë edhe mekanizmat për përfaqësimin politik të pakicave kombëtare; ekziston një gamë e gjerë modelesh dhe praktikash të ndryshme. Shembuj të tillë mund të shërbejnë si nxitje për konsultime publike të informuara dhe gjithëpërfshirëse me të gjitha palët e interesuara, me qëllim që Mali i Zi të gjejë mbështetjen më të gjerë të mundshme për modelin që i përshtatet më së miri vendit dhe popullit të tij.”

Bashkëbiseduesit, në një bisedë të hapur dhe miqësore, shkëmbyen mendime edhe për tema të tjera që lidhen me reformat me rëndësi kyçe për realizimin e objektivave strategjikë të Malit të Zi.

Lajmet e fundit
Related news