23.9 C
Tuzi
Wednesday, September 17, 2025

Agron M. Camaj: Primitivizmi përsëri ka goditur artin!

Primitivizmi përsëri ka goditur artin!

Këtë herë arti u përpoq të zbresë në rrugë, Xhade, në terrenin vendas të “individëve” të lodhur. Ata, të tillë, të gjithfarshëm, ndërpritën shfaqjen e një vepre filmike të regjisorit që ka lindur në Mal të Zi, një film fabula e të cilit zhvillohet në Mal të Zi.

Sinqerisht, dyshoj se ata e dinin për çfarë bëhej fjalë në Xhade! Kam ndaluar prej kohësh së besuari në rastësi, dhe i gjithë “vibe-i” nuk më lejon të mendoj se këta “individë” vepruan nga mendja e vetë. Lejleku, ose në gjuhën sllave roda, siç është titulli i filmit, në traditën e të gjithë popujve ballkanikë simbolizon jetën, lumturinë, shtëpinë dhe shpresën. Ajo nuk njeh kufij, barriera gjuhësore dhe sjellë mesazhe për rinovim dhe bashkim. Prandaj, ironia e ngjarjes së mbrëmshme bëhet edhe më e dukshme. Edhe në besimet e kulturave të ndryshme në botë, lejleku lidhet gjithmonë me simbolikë pozitive: lidhet me shpirtin, lindjen, harmoninë dhe jetën e balancuar. Në Romën e Lashtë, lejleku përfaqësonte harmoninë midis fëmijëve dhe prindërve – dhe padyshim, mungesa e duhur e marrëdhënies midis “individëve” dhe prindërve të tyre është një nga arsyet e ndërprerjes me forcë të kësaj shfaqjeje filmike.

Gjuha, kultura dhe arti i shqiptarëve, popullit autokton në Mal të Zi, janë pjesë e pasurisë së shtetit tonë. Një shtet që i përket të gjithëve që jetojmë në të dhe që i përket në mënyrë të barabartë të gjithëve. Shembuj të këtillë tregojnë vetëm se ekzistojnë ata që, duke sulmuar lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të shfaqur një film në gjuhën shqipe, në thelb sulmojnë idenë e Malit të Zi multietnik dhe të orientuar ka Evropa.

Veçanërisht shqetësues është mungesa e imagjinatës, sepse një veprim i tillë është vetëm një kopje fallco e incidenteve të ngjashme që ndodhën vitin e kaluar në Beograd, kur përpara Shtëpisë së Rinisë u pamundësua mbajtja e festivalit “Mirëdita! Dobar dan!”. Në atë rast, pasi Ministria e Brendshme e ndaloi festivalin, Misha Vaciq dhe huliganët e njëfarë ministreje Stamenkovski festuan me fishekzjarre fitoren ndaj artit. Në Mal të Zi, policia jonë nuk ndaloi shfaqjen e “Lejlekut”, por gjithashtu nuk mori asnjë qëndrim, as nuk kontribuoi me praninë dhe autoritetin e saj që shfaqja të vazhdonte.

Edhe kjo ngjarje është vetëm një nga treguesit e një procesi të vazhdueshëm dhe, duket se të pandalshëm, të dorëzimit të aktiviteteve publike tek ata që janë në xhade, por nuk e kuptojnë Xhaden. Ashtu si dhe porositësit e tyre. Me veprime të tilla, deklarata të zjarrta shoviniste, “folklor” primitiv dhe promovim të vlerave që nuk janë të përputhshme me aspiratat e shpallura të Malit të Zi për integrim në Bashkimin Evropian, vazhdohet politika e provokimit të konflikteve. Sepse, “armiqtë” duhet të ekzistojnë, edhe nëse duhet t’i shpikin vetë. Sepse, nëse nuk ka armiq, si do të mbijetojnë “kuazi-mbrojtësit” dhe “kuazi-patriotët” në skenën politike? Me punë dhe rezultate padyshim që jo! Nga ana tjetër, shqiptarët nga Alternativa Shqiptare dhe Forumi Shqiptar, subjekti më i fuqishëm politik i shqiptarëve në Mal të Zi, flasin me veprimet dhe rezultatet e veta, si për veten, ashtu edhe për marrëdhënien e Shqiptarëve me vendin tonë të përbashkët – Malin e Zi. Ministrat dhe të gjithë kuadrot tonë janë më të vlerësuarit dhe veprojnë jo vetëm në interes të komunitetit tonë kombëtar, por në interes të gjithë Malit të Zi, për të mirën e të gjithë qytetareve dhe qytetarëve të tij, duke treguar se nuk i përkasin getove ku janë shtyrë për dekada. Këto dhe ngjarje të ngjashme janë dëshmi e ekzistencës së shqiptarofobisë, distancës etnike ndaj Shqiptarëve – e cila sipas studimeve varion nga të paktën 23.8% deri në 73.8%, dhe shpesh ushqehet nga mediat. Sepse versuljet mediatike personale ndaj liderëve politikë shqiptarë dhe përpjekjet për të zvogëluar sukseset e tyre ndikojnë thellë në rritjen e distancës etnike ndaj shqiptarëve.

Është një serial në gjuhën sllave – Do të Kthehen Lejlekët! Sigurisht që po!

Lajmet e fundit
Related news