23.9 C
Tuzi
Wednesday, September 17, 2025

Agron M. Camaj: Gjuha shqipe nuk i takon bodrumit!

Nga Xhadeja, nga ata që u takojnë rrugëve, është dëbuar me dhunë gjuha shqipe, gjuha ime amtare!

Në mes të Malit të Zi tim!

Në mes të qytetit tim, qytetit ku jam rritur!

Dhe disi këto ditë, jam ndjerë vërtet krenar për bashkëqytetaret e bashkëqytetarët e mi, për të gjithë ata që në çfarëdo mënyre reaguan (me interes apo pa interes) lidhur me këtë turp të “individëve” dhe urdhërdhënësve të tyre. Them urdhërdhënësve, sepse ajo “djelmni” nuk do të mundte as për një orë të kuptonte se si tingëllon gjuha shqipe, sidomos në film.

RTMZ veproi menjëherë, menjëherë në prime-time e shfaqi filmin, dhe unë me padurim prisja projeksionin e paralajmëruar për të dielën në mbrëmje. Nuk prisja ndonjë spektakël, por me ndjenja shumë pozitive u nisa drejt Kinotekës së Malit të Zi.

Dhe menjëherë – zhgënjim: projeksioni brenda në sallë! I ndërprerë në ambient të hapur, në mënyrë rrugaçësh, vetëm sepse ishte në gjuhën shqipe, filmi “Lejleku” mbrëmë, në vend ae të shfaqe në të njëjtin vend ku u nrërpre, ai u shfaq në një ambient të mbyllur, në sallën që, sipas vlerësimit tim laik, mund të pranojë më së shumti rreth 50 shikues. Nuk u mbyll filmi, u mbyll gjuha shqipe, në sallën “Gojko Kastratoviq”, në bodrumin e Kinotekës së Malit të Zi. Projeksioni si në burg të Kinotekës! Filmi i një regjisori të lindur në Mal të Zi, me tematikë nga Mali i Zi, të mbështetur nga institucionet e Malit të Zi!

Në këto rrethana, nuk u vu re mungesa e përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës dhe Mediave, të Kryeqytetit dhe të tjerëve që mbrëmë duhej të ishin aty. Erdh vetëm ai i parëndësishmi, që gjithsesi askush nuk e pyet për asgjë! Dhe një furgon policie! Mbrëmë, kur projeksioni ishte në bodrum, ata ishin aty, për çdo rast!

Në njoftim shkruante se, për shkak të asaj që ndodhi, pikërisht me këtë projeksion do të mbyllej edicioni i dhjetë, jubilar, i “Festivalit të Filmit Xhadeja”. Nuk e di si ka qenë vitet e tjera në ceremonitë e mbylljes, por kjo ishte si një hatër i trishtë. Askush nuk u drejtua me ndonjë fjalë, as para e as pas shfaqjes, qoftë së paku për t’u dërguar mesazh atyre që duhej të ishin aty. Përjashtim bën vetëm një përpjekje e vakët e përfaqësuesit të organizatorit për të argëtuar të vetmin mysafir për të cilin ishin rezervuar vendet. (Jo mua, prite Zot, unë isha aty në rolin tim të zakonshëm – si qytetar). Por, duhet organizuar festivali edhe vitin tjetër, nuk është momenti të zemërohet dikush, ndoshta! Për këtë arsye ky “kompromis i kalbur” i organizatorëve!!! Filmi u shfaq (në bodrum, sigurisht, jo në Xhade), dhe askush nuk u mërzit. Perfekt! Aktrimi në stilin e Marcello Mastroianni-t! Po të kishte ndodhur kjo në Beograd, jam i bindur se guximi i njerëzve që e drejtojnë skenën kulturore serbe do të ishte në një nivel shumë më të lartë, imanent arritjeve të tyre artistike dhe kokëfortësisë së tyre që mos të ulin kurrizin para asnjë regjimi!

Një nga fjalitë në filmin “Lejleku” thotë: “Njerëzit nga ky vend gjithë jetën presin me kufer në dorë: ose të shkojnë në Amerikë, ose – në varrë”. Ndoshta pikërisht kjo fjali më shtyu të mendoj sërish për arsyet pse një numër i madh bashkatdhetarësh të mi shkuan në SHBA, sepse qëndrimi ndaj gjuhës së një pakice kombëtare (sidomos kur ajo gjuhë nuk i përket të njëjtit grupit gjuhësor dhe është e pakuptueshme për shumicën e popullsisë) është tregues i qëndrimit ndaj asaj pakice kombëtare.

Prisja më shumë! Me më ndershmëri! Në këtë formë, nuk e di çfarë është më keq – ndërprerja e dhunshme e shfaqjes apo ky tentim i “korrigjimit”!

Më mbet fakti që unë kam filmin tim “Nderi”, të cilin e ka realizuar Nikolla Vukçeviqi dhe mezi pres premierën në Podgoricën time e sidomos në Tuzin tim! Atje ne, si në xhade ashtu edhe kudo tjetër – jemi të barabartë, mbi të gjitha mirëdashës, të hapur. E, se si priten filmat në gjuhët sllave të ish-Jugosllavisë në Kosovë – më së miri do t’ju dëshmojë Bernard Çobaj, ambasadori ynë. Eh, ato janë spektakle!

Për fund, ndoshta qëllimi i organizatorëve edhe ka qenë i mirë, por finis opus coronat – ndërsa, gjuha shqipe nuk i takon bodrumit!!!
Dhe, nuk do tʼi takojë kurrë!!!

Lajmet e fundit
Related news