21.7 C
Tuzi
Monday, June 8, 2026

Kuvendi i Malit të Zi nis hetimin parlamentar për aksionin policor “Fluturimi i Shqiponjës”

Komisioni Parlamentar për Sistemin Politik, Drejtësinë dhe Administratën në Mal të Zi ka miratuar njëzëri propozimin për nisjen e hetimit parlamentare për aksionin policor “Fluturimi i Shqiponjës”.

Kur është fjala për aksionin “Fluturimi i Shqiponjës”, Nikollë Camaj nga Forumi Shqiptar tha në seancën e sotme të komisionit se duhet të zbardhet e vërteta për mënyrën se si është vepruar në atë rast, duke theksuar se bëhet fjalë për njerëz që kanë dhënë kontribut të madh për suksesin e referendumit të vitit 2006.

Ai shtoi se ky aksion policor është shoqëruar me torturë të madhe ndaj shqiptarëve.

“Jo vetëm ndaj njerëzve që supozohej se ishin fajtorë, por edhe ndaj familjeve të tyre. Si pasojë e kësaj torture, tre persona të moshuar kanë vdekur shpejt pas ngjarjeve. Është zhvilluar një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm që Mali i Zi të bëhet shtet i pavarur”, tha Camaj.

Sipas propozimit, komisioni hetimor duhet të mbledhë informacione dhe fakte për mënyrën e veprimit të organeve shtetërore dhe subjekteve të tjera gjatë aksionit policor “Fluturimi i Shqiponjës”, i zhvilluar më 9 shtator 2006.

Në propozim thuhet se rrethanat në të cilat është kryer aksioni, edhe pas gati dy dekadash, nuk janë sqaruar plotësisht dhe ekziston nevoja që të përcaktohen faktet mbi veprimet e institucioneve shtetërore ndaj pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në atë periudhë.

Lajmet e fundit
Related news