Forumi Shqiptar kërkon nga kryeministri respektimin e Marrëveshjes së nënshkruar

0
145

Kryesia e Forumit Shqiptar ka miratuar një paketë kërkesash që do t’ia dorëzojë kryeministrit Milojko Spajić, duke kërkuar realizimin konkret të obligimeve të përcaktuara në Marrëveshjen e nënshkruar.

Nga kryeministri presin përgjigje me shkrim, plan veprimi dhe afate për realizimin e marrëveshjes brenda 30 ditëve të ardhshme.

Kërkesat kanë të bëjnë me rritjen e mbështetjes për ekonominë dhe bujqësinë, ruajtjen e të hyrave të komunave, realizimin e projekteve kapitale, decentralizimin, mandatet e garantuara për listat autentike shqiptare, respektimin e të drejtave të pakicave, si dhe zbatimin e zgjidhjeve kadrovike të dakorduara.

“Presim nga kryeministri një takim dhe përgjigje konkrete me shkrim, së bashku me një plan veprimi dhe afate për realizimin e tyre brenda 30 ditëve të ardhshme”, thuhet në njoftimin e Forumit Shqiptar.

Siç theksohet, me përmbajtjen e kërkesave, të cilat burojnë nga Marrëveshja e nënshkruar, janë të informuar edhe partnerët tradicionalë ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Përgjegjësia për mosrespektimin e Marrëveshjes së nënshkruar u takon atyre që nuk i përmbushin obligimet e marra. Është veçanërisht e papranueshme që individë që përfaqësojnë interesat e shteteve të tjera të përpiqen të targetojnë popujt pakicë dhe t’u mohojnë të drejtën për të kërkuar respektimin e Marrëveshjes dhe dialog të barabartë. Deklarata të tilla nuk do të na lëkundin dhe as nuk do të na largojnë nga mbrojtja e të drejtave dhe interesave legjitime të popullit shqiptar”, thuhet në deklaratë.

Nga Forumi Shqiptar theksojnë se mbeten të përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe stabilitetit politik të Malit të Zi, duke pritur që Marrëveshja të respektohet në mënyrë konsekuente dhe që marrëdhëniet të bazohen në partneritet të barabartë.