Kabineti i sigurisë së Izraelit ka shpallur gjendje lufte pas sulmeve të grupit militant palestinez të Hamasit, që kanë lënë të vrarë mbi 600 persona në Izrael.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ky vendim u mor për shkak se shte i u përball “me sulme terroriste nga Gaza”.
“Lufta iu imponua shtetit të Izraelit nga sulmet vrastare terroriste që nisën nga Rripi i Gazës në orën 06:00 të ditës së djeshme”, u tha në njoftim.
Aty nuk u dhanë më shumë detaje, por Netanyahu më herët kishte deklaruar se shteti i tij është në luftë dhe ushtria premtoi se do të kundërpërgjigjej ashpër në Gaza.
Për të dytën ditë me radhë forcat izraelite po përleshen me militantët e Hamasit në pjesën jugore të shtetit.
Ndërkaq, zyrtarët shëndetësorë palestinezë njoftuan të dielën se numri i viktimave u rrit në 370 dhe mbi 2.000 janë plagosur.
Ushtria izraelite tha më 8 tetor se synon të evakuojë të gjithë izraelitët që jetojnë afër Rripit të Gazës brenda 24 orëve, përderisa ka dislokuar mijëra luftëtarë për t’u përballur me militantët e Hamasit, që janë infiltruar brenda Izraelit.
“Misioni ynë është që në 24 orët e ardhshme të evakuojmë të gjithë banorët që jetojnë rreth Gazës”, tha zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, duke shtuar se luftimet po vazhdojnë për të “shpëtuar pengjet” që po mbahen nga militantët.
“Ka dhjetëra mijëra ushtarë në zonë. Ne do të arrijmë te secili komunitet derisa të vrasim të gjithë terroristët në Izrael”, tha ai për gazetarët.
Grupi palestinez Hamas nisi një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë afër 500 persona.
Kjo ishte dita më vdekjeprurëse e dhunës në Izrael në 50 vjet.
Konflikti u përhap, pasi pati sulm nga Libani në veri të Izraelit, përgjegjësinë për të cilin e mori grupi Hezbollah, duke thënë se sulmi u krye “në solidaritet” me popullin palestinez.